– Kryepiskopi Anastas viziton zonat e thella të Zagorisë dhe Dhrovjanin, në Mitropolinë e Gjirokastrës –
Në gjurmët e Traditës Apostolike dhe me porosinë e tij për të çuar në çdo cep dhe shpirt njeriu Fjalën e Perëndisë, Fortlumturia e Tij, Imzot Anastasi, si Bari që kujdeset edhe për delen e fundit, u ndodh në përkujtimin e “Apostujve Petro dhe Pavël” në Hoshtevë, fshatin e fundit të Zagorisë dhe të nesërmen, për “Mbledhjen e 12 Apostujve”, në Dhrovjan, gjithashtu një fshat i vështirë. Mund të thuhet, se kohët e fundit Kryepiskopi u bë edhe “alpinist”, me vizitat në trevat e vështira malore të Shpatit, Theologos, Zagorisë etj.
Një pritje me të vërtetë prekëse i bënë banorët e Hoshtevës, që krenohen me vlerat e dy kishave te tyre, të “Apostujve” dhe të “Shën Nikollës.” Kushedi sa vjet kishte, që në ato vende nuk ka shkuar episkop dhe shpirtrat e tyre nuk kanë dëgjuar fjalë bariu shpirtëror. Kryepiskopi i foli shpirtit, që në fillim, për t’iu shpjeguar madhështinë e besimit tonë orthodhoks, për t’i informuar me pak fjalë për shpejtësinë që Hiri i Perëndisë u fali ritmeve të ripërtëritjes së Kishës sonë Orthodhokse në këto 10 vjet lirie dhe besimi.
Si pyll i gjallë besimi dhe përkushtimi ishin këto treva qysh në vitet e para të përhapjes së Ungjillit të së vërtetës, – u tha a tyre Kryepiskopi. Kaluan pastaj zjarre, që e dogjën, por rrënja ka mbajtur mirë, ajo nuk u dogj, dhe prej saj fillojnë përsëri të rriten filiza të Orthodhoksisë.
Në Predikimin e ditës, Kryepiskopi u foli besimtarëve zagoritë, për përpjekjen personale të cilitdo që e quan veten Orthodhoks, që, nën shembullin e Apostujve të mëdhenj Petro dhe Pavël, të jetojnë jetë lutjeje, shprese dhe veçanërisht pendese.
Kryepiskopi gjithmonë është kujdesur jo vetëm për nevojat shpirtërore të njerëzve që u thirr të baritojë, por edhe për probleme të zhvillimit. Ai bisedoi me banorët e fshatit dhe me autoritetet e zonës, për nevojat që kanë. Me përkujdesjen e Kryepiskopit, një buldozer i Kishës po punon për përmirësimin e infrastukturës rrugore, që lidh Zagorinë me Pogonin, ndërsa do të mbështesë gjithashtu përpjekjen e kryetarit të Komunës për rregullimin e segmentit Poliçan – Nivan.
Çaste tepër të veçanta përjetoi edhe Dhrovjani, kur në ditën e Mbledhjes së 12 Apostujve shkoi atje Fortlumturia e Tij, Imzot Anastasi. Qindra besimtarë nga fshati dhe zona përreth, që kishin ardhur për festën tradicionale, e pritën me dashuri dhe lot përmallimi Kryebariun e tyre. Kryepiskopi u shpreh i prekur që ndodhej edhe fizikisht në Dhrovjan, sepse me lutje dhe shpirt ka ndjekur nga afër problemet dhe ankthet e tyre. Me Dhrovjanin, Kryepiskopin Anastas e lidhin persona të dashur si Himnografi i Madh bashkohor Gjerasimos Mikrajananitis, që u rrit atje, prof. S. Kalafas etj. Edhe Presidenti i Greqisë z. Konstandinos Stefanopulos e ka origjinën andej. Dhrovjani në tre shekujt e fundit rrezatoi gjerësisht kulturë dhe dha burra të shquar për kulturën, arsimin dhe sidomos një prirje të pasur për besimin Orthodhoks.
Pas Liturgjisë Hyjnore që kreu Kryepiskopi, para kishës u bë bekimi i pesë bukëve dhe u psal përkujtimore për dhrovjanitët e fjetur. Nën hijen e pemëve, në një drekë tradicionale, Kryepiskopi dëgjoi mirëseardhjen nga banorët, të mbushur me fjalë fisnikërie dhe bujarie, respekti dhe dashuria.
Kryepiskopi vizitoi edhe Kishat e tjera të fshatit, të cilat me ndihmën e tij dhe kontributin e dhrovjanitëve mirëmbahen dhe restaurohen. Ai shkoi i shoqëruar nga njerëzit në vende ku qëndroi Shën Kozmai në kalimin e tij dhe vizitoi shkollën që u ndërtua nën frymëzimin e Shenjtorit.
O.B.