Episkopi Nikolas i Preshovit, siç kemi njoftuar në numrin e kaluar, u zgjodh Kryepiskop i ri i Kishës Orthodhokse Çeke dhe Sllovake. Më poshtë, po japim disa të dhëna plotësuese për të:
Kryepiskopi Nikolas është me kombësi sllovake dhe ka lindur në vitin 1927, në Hanigovce. U dorëzua dhiak dhe prift në vitin 1950. Nga viti 1955-1959 studioi në Akademinë Teologjike të Moskës.
Më 1965, u dorëzua episkop i dioqezës së Preshovit, që mbullon Sllovakinë Lindore. Në vitin 1988 u ngrit në rang Arqiepiskopi.
Jo shumë i njohur në skenën ndërkombëtare, në vitin 1992 ai do protestonte publikisht kundër masave diskriminuese kundër orthodhoksëve të Sllovakisë, të cilët u detyruan të dorëzonin tek uniatët shumë objekte kulti, edhe aty ku ishin shumicë, si dhe për mosdhënien e lejes për ndërtimin e kishave të reja. Këtë situatë ai e theksoi edhe në një intervistë Buletinit informativ ENI, që botohet në Gjenevë nga Këshilli Botëror i Kishave, duke u shprehur se në vitet e fundit situata ka pasur përmirësime, duke shprehur edhe besimin në një përmirësim të ngadalshëm, por të sigurt të situatës.
Kisha e Çekisë dhe Sllovakisë mori autonominë nga Patrikana e Moskës në vitin 1951 dhe Autoqefalinë më 1998.