– Festat fetare orthodhokse mbledhin në këto treva besimtarë të shumtë edhe si rezultat i punës së mirë të klerikëve e katekistëve –
Sipas gojëdhënave, fshati Shënpjetër e ka marrë emrin nga Kisha Shën Petrit, e ndërtuar në vitin 1728. Kur u ndërtua kisha nuk ishte emërtuar akoma fshati. Këtu banonin dy fise.
Gjithë besimtarët janë krenarë që kisha mban emrin e Apostulll Petrit dhe fshati emrin e kishës. Ata mburren me krenari se kanë çfarë t’u mësojnë brezave, besimtarëve të ardhshëm dhe kjo të trashëgohet brez pas brezi.
Në kohën e diktaturës kisha u prish ashtu si shumë kisha të tjera, por dora e shenjtë e Hirësisë së Tij, Kryepiskopit tonë, Profesor Dr. Anastasit, e ndërtoi kishën e re dhe besimtarët e Shënpjetrit e gëzojnë sot.
Më 29 qershor, mbarë besimtarët e këtij fshati, fshatrave përreth, si dhe nga qyteti i Fierit u grumbulluan në kishën Shën Petrit, që në orët e para të mëngjesit. Shumë prej tyre kishin ardhur që në darkë. Këtë atmosferë festive e bëri më të gëzueshme ardhja e Mitropolitit, Hirësisë së Tij Ignatit.
Kulmore ishte shërbesa e Liturgjisë Hyjnore, të cilën të gjithë të pranishmit e ndiqnin me një përkushtin të veçantë. Ajo u krye nga Hirësia e Tij, Imzot Ignati, At Sokrat Lako, At Llazar Çullahi, At Nikolla Mandro, ky i fundit famulltari i kishës, i dashur dhe i respektuar nga të gjithë.
Pasi mbaroi Mesha, Hirësia e Tij, Imzot Ignati pati takime me besimtarët dhe kaloi çaste hareje me ta.
Në datën 19 qershor, qindra besimtarë të ardhur nga qyteti i Fierit, fshati Seman e shumë fshatra përreth, u grumbulluan në kishën “Shën Triadha” të Semanit, për të kremtuar këtë ditë.
Për t’u shënuar është, se këtu është bërë traditë, që në festë të vijnë edhe besimtarë të feve të tjera.
Pjesëmarrja e gjerë dhe dëshira me të cilën ndiqen shërbesat nga besimtarët orthodhoksë të këtyre trevave me tradita, është edhe dëshmi e punës me përkushtim të katekistëve e klerikëve.
Liturgjia Hyjnore u krye nga at Llazar Çullhai, At Sokrat Dako e At Nikolla Mandro, me psalt Nikolla Davidhi dhe Niko Lushi, shoqëruar nga kori.
Rrapi Banthi, Fier