Veprimtari të Mitropolitit të Beratit, Imzot Ignatit
Vizitë në fshatin me tradita të njohura orthodhokse
Të Dielën e gjashtë të Pashkës, më 4 qershor, për të kremtuar Ditën e të verbërit, Hirësia e tij imzot Ignati, drejtoi Liturgjinë Hyjnore në Kishën “Lindja e Hyjlindëses” në fshatin e bukur malor të Vokopolës. Në orën 8:30, në oborrin e kishës, një djalë i vogël e pret duke i dhururar një tufë me lule të freskëta e mandej shumë besimtarë të fshatit e rrethojnë me dashuri. Në hyrje të Kishës qëndrojnë At Kristaq Subashi dhe Dhjak Nikolla Nushi, të cilët i urojnë mirëseardhjen.
Besimtarët dëgjojnë me vëmendje fjalët e Ungjillorit Joan, për mrekullinë që bëri Zoti, duke e shëruar plotësisht njeriun që kishte lindur i verbër. Përshtypje të veçantë bëri predikimi i Imzot Ignatit mbi këtë mrekulli. Ai ndër të tjera theksoi: “Sot Zoti më bëri të denjë të vizitoj fshatin tuaj me një histori të pasur. Kam dëgjuar shumë fjalë të mira për traditat tuaja fetare, arsimore, kulturore dhe atdhetare. At Kristaqi më ka ftuar disa herë dhe sot m’u dha mundësia të gjendem mes jush, të meshoj në këtë kishë të restauruar dhe të mbajtur mirë, gjëra këto që më japin një kënaqësi të veçantë.
Ungjilli i sotëm na mëson se Krishti e porositi të verbërin të lyente sytë me baltë, sepse nga balta jemi krijuar dhe pastaj të shkonte të lahej në sternën e Sillamit. I verbëri u besoi plotësisht fjalëve të Krishtit, prandaj dhe fitoi dritën e syve. Kurse të pasurit, shkronjësit dhe farisenjtë nuk u besonin mrekullive të Zotit, prandaj ndonëse shikonin trupërisht nuk shikonin me sytë e shpirtit.” Më tej Hirësia e tij, porositi që të ruajmë shpirtin ashtu si sytë nga pluhurat e egoizmit.
Hirësi e Tij i rrethuar nga shumë shpresëtarë vendas si dhe nga mjeku i kombëtares sonë të futbollit Lluka Heqimi, me origjinë nga Vokopola, vizitoi mjediset e brendshme të kishës, që janë rindërtuar plotësisht me kontributin e Kryepiskopit Anastas dhe interesimin e vazhdueshëm të vokopolasve.
Imzot Ignati dëgjoi me vemendje historinë e vjetër të kishës. Nga të pranishmit ai mëson se kisha u ndërtua në 3 maj 1760, datë e skalitur mbi një gur të vendosur tek porta kryesore. Shumë më vonë, në vitin 1910 u ndërtua kisha e sotme me të njëjtin emër; më 1912 hajati i saj, ku më 8 shtator të çdo viti organizohej panair i madh. Në tetor të vitit 1927 mjeshtrit e njohur vokopolarë Pano Vangjeli dhe Llazar Stefa ndërtuan tavanin e zbukuruar më figura të rregullta gjeometrike, i cili është ruajtur i plotë deri në ditët e sotme. Në historikun e fshatit dhe të kishës së tyre, vokopolarët krenohen me epitropin Mitrush Binishi, që ishte nismëtari i ndërtimit të kishës së parë në këtë fshat, emri i të cilit figuron në pllakën e vendosur në murin e hajatit nga ana e jugut, krenohen me priftërinjtë At Pavlin dhe të birin e tij, At Perikli Ikonomin, që ka shkruar librin me vlera të mëdha atdhetare “Historia e Tomorit – Dodona Pellazgjike”, si dhe shumë tekste shkollore të gjeografisë dhe mësimit të natyrës; me At Josif Xhaxhon, me At Jakov Konomin, që kishte lidhje të ngushta me të shquarin Babë Dudë Karbunara dhe që me nismën e tij filloi t’u mësonte në shtëpi gjuhën shqipe bashkëfshatarëve të vet, me At Kozmain, At Jani Priftin dhe At Mihai Mitën, i cili meshoi deri në vitin 1967, kur pushteti monist i mbylli barbarisht kishat, ashtu siç bëri edhe me kishën e këtij fshati, duke e kthyer në vatër kulture e në magazinë.
Hirësia e tij dëgjoi me kujdes disa propozime, për të ndërtuar kambanoren e kishës, rrethimin me mur të teritorit, ku ndodhen 150 rrënjë ullinj etj.
Më pas, Mitropoliti vizitoi edhe shtëpinë e thjeshtë të kisharit, z. Mihai Prifti, bashkë me këshillin e kishës. Mes bisedës së çiltër, Imzot Ignati tha: “Tre – katër besimtarë formojnë një kishë të vogël, kurse Kisha vetë është familja e madhe e të krishterëve. Shtëpitë shiten dhe ndryshojnë pronarët, ndërsa kishat mbeten në jetë të jetëve dhe kanë një pronar të vetëm – Perëndinë”.
I shoqëruar nga ngrohtësia e besimtarëve, Imzot Ignati u largua, duke shprehur besimin për vazhdimin e takimeve të tilla në të ardhmen.
Ilia Zaka