– Po zbatohet me sukses nga Zyra e Kishës “Shërbimi i Dashurisë” (DA), programi me gratë, për shëndetin dhe zhvillimin në zonat rurale –
Qëllimi i programit është të udhëheqë gratë e fshatit, që të kuptojnë dhe të përcaktojnë më mirë nevojat e tyre, me nxitjen e vetëasistencës në komunitet.
Fillimisht ky program ka nisur në zonën e Shpatit, në Elbasan, ku ka rreth 4 vjet që zhvillohet me sukses. Dhe duke parë arritjet e deritanishme, u mendua që ai të zgjerohej në një zonë tjetër dhe konkretisht, në Kavajë.
Kisha jonë ka qenë e pranishme edhe në fshatrat e këtij rrethi, ku ka kryer rehabilitimin e disa kopshteve, shkollave tetëvjeçare dhe një të mesme etj. Mbi bazën e kësaj përvoje, u mendua që programi të niste nga Komuna e Luzit të Vogël. Gjithashtu, u mendua të përfshihej në program edhe komuna e Gosës. Dhe, që nga qershori, janë hedhur tashmë hapat e parë në zbatimin e projekteve.
Programet që po realizohen përfshijnë:
-Dhënien e leksioneve me gratë për mbrojtjen e shëndetit. Kjo do të bëhet 2 herë në muaj, në secilën zonë.
-Trajnimin e mamive dhe inferiereve me mjekë specialiste; një herë në muaj për secilën komunë.
Komuna Luz i Vogël ka 4 fshatra, me rreth 8996 banore (2042 familje). Secili nga ato, ka sot një mami-infermiere, ndërsa Qendra shëndetësore e Luzit ka 2 mjekë dhe 4 infermiere.
Më parë, aty ka ekzistuar një organizim i grave shtatzëna dhe nënave me fëmijë, për të cilat mamitë dhe infermieret zhvillonin tema rreth përkujdesjes. Por, që prej dy vjetesh këto nuk zhvilloheshin më. Këtë boshllëk që do synojnë ta mbushin programet e reje shëndetësore të Zyrës “Shërbimi i Dashurisë”.
Kështu, nis së pari në fshatin e Luzit, sepse ai ishte më i largëti nga qyteti dhe ka numrin më të madh të banorëve.
Ndërsa Komuna e Gosës ka 5 fshatra, me 7266 banorë. Çdo fshat i saj ka në mami-infermiere, ndërsa Qendra shëndetsore ka 1 mjek dhe 4 mami-infermiere. Edhe aty programi shtetëror me gratë ishte ndërprerë prej kohësh.
Në këtë Komunë, u fillua në fshatin Vilbashtore, i cili ishte me numrin më të madh të banorëve, ndodhej më larg nga qendra shendetësore dhe kishte nivel të ulët të higjienës.
Për të gjitha këto fshatra, ndihmesa e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nën kujdesin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Kryepiskopit Anastas, do të vijë në rritje. Programet do të zbatohen edhe në të ardhmen nga Zyra “Shërbimi i Dashurisë”, e cila ka përfituar në këto vite një përvojë mjaft të pasur, jo vetëm për përballimin e programeve të ndihmës shëndetësore, por në përgjithësi, për ndihmën sociale në zonat rurale më të varfra.
Korresp. i “Ngjalljes”