EmailFacebookKontakt

Enoria, qendra e edukimit fetar

Kisha, si Trupi dhe Kreu i Krishtit ka, për qëllim edukimin, përkujdesjen dhe shpëtimin e njerëzve. Ajo si një e vetme, e shenjtë, e përgjithshme dhe Apostolike (Simboli i Besimit paragrafi 9), për të kryer denjësisht dhe tek të gjithë njerëzit në mbarë botën Misionin e Shenjtë të Shpëtimit, ndahet në kisha lokale dhe në zona shpirtërore kishtare, të cilat janë një trup i vetëm, por që kanë shumë gjymtyrë (1Korith 12:12).

Këto gjymtyrë ose pjesë të veçanta Kisha i quan Enori. Ky vend kishtar dhe administrativ ka si Trup Shpirtëror Trupin e Krishtit, gjë të cilën na e vërteton edhe vetë Zoti ynë Jisu Krisht (Matheu 18:20), sepse “ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin Tim, aty jam dhe Unë në mes tyre”. Në çdo gjymtyrë të Zotit tonë Jisu Krisht ndodhet prania dhe fuqia shpirtërore e Tij, Misteret e Shenjta dhe modeli i mbretërisë së Perëndisë. Për këtë arsye, ftohen të gjithë njerëzit që të aderojnë në Enori dhe të bëhen pjesë e trupit të Krishtit.

Enoria nuk është vetëm bashkësi e një sigurie personale, apo shfaqje të veçanta të kënaqësive dhe ndjenjave të anëtarëve të saj, por ajo është bashkësia e shërimit dhe shpëtimit të të gjithë njerëzve që aderojnë në të. Fuqia e shpëtimit dhe shërimit në Enori arrihet nëpërmjet dy mënyrave kryesore, të cilat tregojnë edhe vlerën e madhe të saj:

Së pari, me anë të Mistereve të Shenjta.

Nëpërmjet Mistereve të Shenjta çdo person që dëshiron bëhet pjesëtar i Trupit të Krishtit dhe fiton një jetë dhe perspektivë të re. Me anën e Misterit të Pagëzimit besimtari inkuadrohet brenda jetës së Kishës dhe si rezultat i kësaj bashkëekzistence i shmanget vdekjes shpirtërore.

Me anë të Misterit të Falenderimit Hyjnor, ne bashkohemi me Trupin e Krishtit dhe nëpërmjet Tij fitojmë jetën e pavdekshme. Me Mirosjen e Shenjtë ne bëhemi anëtarë të mbretërisë së Perëndisë.

Me anë të Misterit të Hirotonisjes zgjidhet nga Perëndia Bariu i Enorisë, i cili do të kryejë këto Mistere të Shenjta dhe do të ndihmojë për shpëtimin e grigjëtarëve të tij.

Rol të padiskutueshëm luan Misteri i Rrëfimit Hyjnor, tek i cili besimtari kontrollon ndërgjegjen e tij, gabimet dhe mëkatet, të cilat mjekohen dhe shërohen nëpërmjet Hirit të Perëndisë.

Në Misterin e Martesës bekohet lidhja e burrit me gruan e cila i drejton ata në një bashkëjetesë të drejtë trupore dhe shpirtërore. Gjithashtu, me anë të Misterit të Efqelisë na jepet mundësia që të na shërohen sëmundjet trupore, si rezultat i fuqisë dhe veprimit të Hirit të Perëndisë.

Së dyti, me anë të veprave të drejta, edukimit dhe humanizmit.

Çdo person ftohet që të marrë pjesë në takimet dhe bisedat edukuese dhe formuese që zhvillohen në mjediset e Enorisë. Si rezultat i edukimit dhe formimit të besimtarëve, ata kanë gjithashtu mundësinë që të kryejnë edhe vepra lavdëruese dhe humanitare.

Realizimi i këtyre veprave tregon vërtetësinë e besimit tonë, madhështinë e Enorisë, si edhe dashurinë e madhe që ka Perëndia për edukimin dhe shpëtimin e njeriut.

Bashkëjetesa në Enori është e vetmja mënyrë e drejtë jetese, mjedisi i vetëm në të cilin gjejmë dashurinë dhe lirinë e vërtetë, edukimin e drejtë, plotësimin e qëllimit të eksiztencës sonë dhe kuptimit esencial të jetës.

Pra kjo vatër edukimi, shenjtërimi dhe shpëtimi ju mirëpret.

Maksim Çuko