I organizuar nga Këshilli Botëror i Kishave, nga 17-22 qershor, në Shën Peterburg, Rusi, u mbajt Takimi i grupit për partneritetin rajonal evropian. Ai mblodhi përfaqësues nga më se 35 kisha të ndryshme, organizata me veprimtari në fushën e diakonisë, si dhe agjenci ndërkombëtare, që zhvillojnë aktivitet në Evropën Qendrore dhe Lindore. Përgatitja e këtij takimi në nivel lokal u bë nga Këshilli i Krishterë diakonal i Shën Peterburgut.
Në këtë takim mori pjesë edhe një përfaqësi e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, duke dhënë ndihmesë konkrete rreth problemeve të shtruara.
Ndër objektivat e takimit dhe diskutimeve që u bënë atje, ishte nxitja e mëtejshme në shkëmbimin e informacionit dhe përpjekjet e përbashkëta, identifikimi i vlerave të përbashkëta, përparësive dhe strategjive, për një kooperim në fushën e zhvillimit ekumenik në Evropë.
Korresp. i “Ngjalljes”