EmailFacebookKontakt

“Episkop Irine Banushi” – Martir i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

“Episkop Irine Banushi”
Martir i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

Libri është një kontribut i vyer për zbulimin e një nga figurave më të ndritura të Orthodhoksisë shqiptare në këtë shekull. Intelektual i dalluar nga qyteti me tradita të njohura i Shkodrës, jeta e tij do ishte plot përkushtim për besimin, Kishën dhe për këtë edhe e mbushur me probleme e persekutime.

Libri, i z. Kristofor Beduli, është i konceptuar në 13 kapituj, ku bëhet një përshkrim nëpërmjet dokumentash i etapave të jetës të këtij martiri të Kishës sonë. Në të jepen edhe botimet artikuj e libra të Episkop Irineut, ku dallohen ato për mësimin e fesë, pjesë nga letërkëmbimi i tij, bibliografi etj.

Veprimtari për librin

Më datën 11 qershor, në kishën e fshatit Bubullimë, pas Liturgjisë Hyjnore, u zhvillua diskutimi mbi librin “Episkop Irineu…”. Morën pjesë intelektualë, njerëz të pushtetit lokal, rinia, që të gjithë besimtarë, shumë prej të cilëve e kishin njohur vetë Episkopin dhe kishin mbresa nga takimet me të. Pas paraqitjes së librit nga At Gori Ndreko, diskutantët vlerësuan librin dhe sidomos iniciativën e Kishës sonë për botime të tilla, për figurat e Orthodhoksisë. Të gjithë folën me respekt për kulturën e Episkopit, sjelljen e tij me banorët vendas, të folurën e tij me humor, qëndrimin e tij ndaj rregullave të Kishës, mikpritjen, treguan relike e dhurata të tij.

U theksua gjithashtu, se takime të tilla duhen më shumë, se gjallërojnë jetën orthodhokse në këtë trevë me tradita dhe në këtë fshat, që ka nxjerrë nga gjiri i tij hiearkë të lartë të Mitropolisë së Beratit, si Joasafi etj.

Z. Mina, i cili ka jetuar në një dhomë me episkopin për disa muaj, tregoi ngjarje të veçanta, që ngrinin lart figurën e Episkop Irineut, si njeri me ndjenja humane, enciklopedist etj. Në fund, autori falenderoi për të gjitha sa u sugjeruan.

Vlen të përmendet puna e mirë e At Gorit në këtë enori dhe sidomos lidhja e tij me intelektualët dhe ndihma e tyre në kishë.