EmailFacebookKontakt

Bashkia dhe Ministria shesin një kishë

Në vitin 1909, në fshatin me banorë orthodhoksë të Frashërit, afër Patosit, u ngrit Kisha e Shën Markut, me një sipërfaqe rreth 150m2. Më pas pranë saj do të ngriheshin edhe shkolla dhe shtëpia e priftit. Kisha u mbyll në vitin 1967 dhe më pas, si shumë të tjera, godinat u përfshinë në territorin e repartit ushtarak nr. 5013 (Baza e furnizimit të ushtrisë, Divizioni Berat). Kisha e Shën Markut u kthye në depo pike hapjeje, duke i shkatërruar hieroren, hajatet, dritaret dhe gjithë ikonografinë e afresket. Megjithatë edhe sot asaj i dallohen qartë elementet arkitekturore që e dallojnë si kishë. Por…

Në datën 16.3.1999, Bashkia e Patosit vendos, mbi bazën e një urdhri të Ministrisë së Mbrojtjes, të dt. 20.1.’99, t’i kthejë godinat e repartit në banesa për oficerët dhe t’ua shesë atyre nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave, dega Fier. Këtë fat pati edhe kisha, megjithëse dihej se ç’kishte qenë më parë godina. E kështu, kisha u ble nga major E. S., me … 6 mijë lekë.

Diskredituese për ata që kryen këtë krim kundër besimit, qe fakti se majori, pasi e privatizoi kishën, nxitoi t’ia ofronte godinën për shitje Kryepiskopatës Orthodhokse në Tiranë. Kështu, doli në diell e vërteta, se personat e implikuar në këtë sakrilegj të ripërsëritur (në komunizëm kisha u shkatërrua, në demokraci u shit), e dinin shumë mirë se kush ishte pronari i ligjshëm. Megjithatë, çdo individ e merr pjesën e vet nga Perëndia, sipas veprimeve të tij!

Por, krejtësisht i papranueshëm është veprimi i organeve, që kanë për detyrë të respektojnë ligjin dhe pronën. Eshtë e disata herë që Ministria e Mbrojtjes shet në ankand pronat e Kishës sonë (si në Sheqishtë në vitin 1997 apo në Shën Jon, së fundi). Po kështu, flagrante janë dhe veprimet e organeve lokale të pushteti, që i njohin më mirë se kushdo problemet dhe në mënyrë të ndërgjegjshme veprojnë kundër ligjeve (kujtojmë këtu veprimet kundër Kishës sonë nga Bashkia e Elbasanit apo ajo e Përmetit). Po, askush nuk duhet të mendojë, se Komuniteti Orthodhoks do mund të pajtohet me këto abuzime në kurriz të tij.