EmailFacebookKontakt

Kujdes i vazhdueshëm i Kishës për të ardhurit nga Kosova

Kthimi në vatrat e tyre i shqiptarëve të Kosovës, të ardhur nga dhuna e vitit të kaluar, nuk i ndaloi programet e ndihmës të Kishës sonë. Ato u përqendruan tek ata që ende strehon në kampe e struktura të tjera, pasi shtëpitë ua shkatërroi lufta apo humbën pjesëtarët e tjerë të familjes. Ndërsa drejtimi tjetër, është kontributi për rehabilitimin e strukturave shkollore, që u prekën nga kriza.

Kampi i vetëm që ende funksionon

Kampi “Olimpia”, pranë Liqenit Artificial, i administruar nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, është i vetmi kamp për refugjatët që ende funksionon në Shqipëri. Ai punon në koordinim të ngushtë me strukturat e UNHCR, prej të cilave ka pasur mbështetje dhe vlerësim. Në periudhën janar – 30 qershor, kanë përftuar ndihmë në strukturat e kampit 243 kosovarë, ndërsa aktualisht aty qëndrojnë rreth 160 vetë (43 familje). Strukturat e ngritura nga Kisha kujdesen për çdo nevojë të tyre: ushqim, edukimin e fëmijëve, ndihmën mjekësore, kushtet e përshtatshme higjieno-sanitare etj.

E gjithë kjo veprimtari bëhet në koordinim me organizata të ndryshme ndërkombëtare, si International Medical Center, ICMC, Handicap International, Medica Mondiale, KK Shqiptar, KK Spanjoll etj. Kështu, mund të përmendimin kurset e anglishtes, kompjuterit e rrobaqepësisë, realizuar në bashkëpunim me KK shqiptar etj.

Program i rëndësishëm për pajisjen me veshje

Nga janari deri në maj, u realizua edhe një program mjaft i gjerë, për pajisjen e kosovarëve të mbetur me veshje. Gjatë zbatimit të tij u shpërndanë 5984 pako me veshje të reja. Ato u dorëzuan drejtpërdrejt nga strukturat e Kishës sonë tek përfituesit e regjistruar rregullisht, në Durrës, Fier, Shkodër e Tiranë.

U dhanë 1800 pako me rroba për fëmijë nga 5-15 vjeç, 1800 pako me veshje burrash dhe 2384 me veshje për gra. Në çdo kuti kishte këpucë, veshje të brendshme, bluzë, pulovër, pantallona, xhaketë, çorape.

Duhet theksuar veçanërisht, se të gjitha veshjet ishin të blera nga firma të ndryshme shqiptare, duke kontribuar edhe në ekonominë e vendit, gjë që ka qenë strategji e vazhdueshme në realizimnin e ndihmës për të ardhurit.

Rehabilitohen struktura shkollore

Në 30 qershor mbaroi faza e parë e rehabilititmit të disa objekteve shkollore. Kështu, pas asaj të Ndroqit, u riparuan edhe shkolla e mesme dhe kopshti në fshatin Luz i Vogël (Kavajë), shkolla fillore e kopshti i Peqinajt. Në të gjitha këto struktuar përfituan 1560 nxënës.

Eshtë bërë edhe pajisja e tyre me banka, karrige, tabela, mjete të ndryshme mësimore etj. Për këtë janë shpërndarë 55 grupe pajisjesh mësimore për klasat, 780 tavolina dhe 1560 karrige. Edhe në këto punime e pajisje janë përdorur materiale të siguruara në vend.

Tashmë po punohet, në bashkëpunim me strukturat shtetërore, në përcaktimin e 5-6 objekteve të tjera arsimore në gjendje të dëmtuar, që mund të rregullohen deri në fund të vitit.

Vlera e gjithë këtyre programeve, që po zbatohen nga strukturat e posaçme të Kishës sonë, vetëm për vitin 2000, kap shumën e 1 531 383 USD.