EmailFacebookKontakt

Dhjetë vjet liri fetare

Në datë 25 maj, në mjediset e restorant Berlinit në Tiranë, Komiteti Shtetëror i Kulteve, në bashkëpunim me Fondacionin “Fridrih Ebert”, organizoi një tryezë të rrumbullakët njëditore, me temë: “Dhjetë vjet liri fetare në Shqipëri: Aktualitet, përvojë dhe probleme”. Në veprimtari morën pjesë përfaqësues të Komuniteteve Fetare, të Qeverisë, Komitetit të Kulteve, Ambasadës Gjermane dhe OSBE-së, pedagogë të Universitetit të Tiranës etj.

Veprimtaria u hap nga përfaqësuesi i Fondacionit “F. Ebert”, z. Aleksandër Dhima, i cili u pasua nga referuesi i parë, Pedagogu i fakultetit të Shkencave Shoqërore Prof. Dr. Gjergj Sinani, që foli për temën: “Feja dhe shteti në Shqipëri, një binom bashkëpunimi institucional. Pastaj z. Behar Bejko, Kryetar i Komitetit Shtetëror për Kultet mbajti refereatin “Nga Sekretariat Shteti në Komitet Shtetëror për kultet”. Referuesi i fundit për seancën e parë ishte z. Vasillaq Kureta, këshilltar pranë Kryeministrit për arsimin dhe kulturën, për temën: “Aktualiteti dhe problematika në 10 vjet liri fetare”.

Në seancën e dytë, folën përfaqësues të Komuniteteve fetare; Z. Sali Tivari, Sekretar i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman; z. Thoma Dhima, kryeredaktor i gazetës “Ngjallja” të Komuniteti Orthodhoks; At Zef Pëllumbi, për Arqipeshkvinë Katolike dhe Baba Edmondi për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Në fund pati diskutime.

Eshtë për t’u theksuar, se si në diskutime dhe në referate, tema më e rrahur ishte ajo e kthimit të pronave të Komuniteteve Fetare dhe nevoja e një ligji për këtë, duke theksuar se deri tani këto komunitete janë lënë të pambrojtura përballë cënimit të pronës së tyre nga individë pa skrupuj.