Kisha Orthodhokse Ruse dhe Kisha apostolike armene, vendosën të ndërtojnë një komision dypalësh për dialogun teologjik, në vazhdën e një vizite në Moskë të Primatit të ri të Armenisë, Karekin II. Vendimi u mor gjatë një tryeze pune në Manastirin e Shën Danielit, seli e Patrikanës Ruse, midis dy primatëve. Ky dialog teologjik, që duhet të mbështetet në lidhjet vëllazërore të bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjelltë që ekzistojnë prej kohësh, ka për objektiv qartësimin e pikave të doktrinës që, sipas disa teologëve, janë ende problematike në kërkim të unitetit të besimit mes Kishës Orthodhokse dhe atyre prekalcedoniane, ku bën pjesë edhe Kisha Armene.
Të dy Primat u pritën edhe nga Presidenti Putin, i cili theksoi lidhjet tradicionale midis dy popujve dhe “vlerat e përjetshme të krishtërimit”, që duhet të jenë baza e një rinovimi shpirtëror.
Kisha Armene ka sot rreth 7 milion anëtarë, dy të tretat e të cilëve jetojnë jashtë vendit, ku komuniteti më i madh ndodhet pikërisht në Federatën Ruse.