Akademia orthodhokse e Vollos, ka njoftuar, se do organizojë një Universitet veror, nga 17 gusht deri më 17 shtator. Ai do të jetë i hapur për laikët, burra dhe gra, nga Greqia dhe vende të tjera. Në këto kurse do të mbajnë leksione teologë të njohur, si Kristos Janaras dhe Athanasios Papathanasiu (nga Athina), At Hilarion Alfeiev (Moskë), At Xhon Xhilions (Kembrixh), Nikolas Loski (Paris), Elisabet Theokritoff (SHBA).
Kurset do zhvillohen në anglisht e greqisht dhe synojnë të japin një formim teologjik për laikët që duan të japin një dëshmi të besimit të tyre në botë, në punën që bëjnë dhe angazhimet shoqërore, “duke ndjekur vlerat shpirtërore të krishtërimit orthodhoks”, siç shprehet në një komunikatë për shtyp Mitropoliti Ignat i Dimitrias, nismëtar i projektit. Duke u ndalur në karakterin panorthodhoks të veprimtarisë, Hirësia e tij afirmon, se akademia duhet të kthehet “në një qendër studimi, shkëmbimi dhe reflektimi mes orthodhoksësh të kulturave të ndryshme”, për t’i lejuar secilit të zbulojë “trashëgiminë e përbashkët dhe llojshmërinë e pasur që gjendet në orthodhoksinë”. Akademia duhet të jetë një vend reflektimi mbi “problemet që i dalin sot Kishës dhe shoqërive ku jetojmë…”.