Manastiri Shën Katerina i Sinait i ka kërkuar zyrtarisht Britanisë së Madhe kthimin e “Kodikut të Sinait”, një nga kopjet më të vjetra të plota të Dhiatës së Re, e shkruar në pergamenë.
Sipas gazetës londineze “The Times”, Princi i Uellsit, Çarls, i cili është edhe president i fondacionit ndërkombëtar “Shën Katerina”, që ndihmon këtë Manastir, bëri të ditur “opinionin e tij personal”, që ishte i favorshëm ndaj rikthimit.
Kodiku i Sinait, përveç Dhiatës së Re, përmban edhe dy shkrime të antikitetit të krishterë: Epistolën e Varnavës dhe “Bariu” të Hermasit. Ato datohen të shek. të 4-t dhe kanë mbërritur në mënyrë të panjohur në bibliotekën e Manastirit, të themeluar në kohën e Perandorit Justinian (525-565).
Në vitin 1865 Kodiku u kërkua hua për t’u studiuar nga një shkencëtar gjerman, që thoshte se vepronte për llogari të Carit të Rusisë. Ai e çoi Kodikun në Shën Petërburg, pa e mbajtur premtimin për ta kthyer. Në vitin 1933 Stalini ia shiti atë qeverisë britanike, për 100 mijë stërlina dhe Kodiku u vendos në Muzeun Britanik. Sot ai ruhet në mjediset e British Library, bashkë me dorëshkrime të tjera të çmuara.
Kërkesën për kthimin e Kodikut pritet ta shqyrtojë së afërmi Parlamenti Britanik.