EmailFacebookKontakt

Krishterizimi i Gotëve

Në shekullin III në kufijtë e perandorisë Romake filluan dyndjet e popujve barbarë. Këta qenë popuj gjermanikë e quheshin Gotë. Origjina e tyre qe nga brigjet e detit Balltik. Gotët në vitin 250 p.k u zhvendosën drejt jugut duke kaluar Danubin. Ata pushtuan e plaçkitën disa provinca të perandorisë. Disa prej tyre u vendosën në anën perëndimore të Danubit dhe u quajtën Vizigotë (gotët perëndimorë), ndërsa të tjerët u vendosën në anën lindore dhe u quajtën Ostrogotë (gotë lindorë). Këto fise barbare shpesh sulmonin perandorinë, duke vrarë e plaçkitur dhe duke zënë robër nga provincat e pushtuara. Pikërisht nga këta robër ata u njohën me Krishtërimin. Nga ana tjetër, Gotët kishin mbështetur me ushtritë e tyre Konstandinin e Madh në luftë kundër Licinit, kështu që një pjesë e mirë e kësaj ushtrie u njoh me fenë e re.

Në Sinodin e parë Ekumenik të Nikesë, në vitin 325, merrte pjesë edhe një episkop got, Theofili. Megjithatë, pjesa më e madhe e popullsisë gote vazhdonte të ishte pagane. Iniciativën për krishtërizimin e këtyre popujve e mori Ulfila. Ky i fundit vuri në dijeni Konstandinin, i cili ngarkoi këshilltarin e tij Eusebion e Nikomedisë që të diskutonte me të.

Historiani Fillostorgji dëshmon se Ulfila u dorëzua episkop i gotëve nga episkopi (arian) Eusebio në vitin 343.

Më pas episkopi i gotëve Ulfila do të merrte pjesë në Sinodin e Konstandinopojës, të vitit 360.

Suksesi më i madh i tij do të ishte shpikja e alfabetit gotik dhe përkthimi i Biblës në gjuhën gote. Ulfila e vazhdoi misionin e tij për ungjillëzimin e gotëve për 40 vjet, derisa vdiq në vitin 383.

Duhet theksuar, se Eusebio i Nikomedisë, që dorëzoi Ulfilën në episkop, kishte përqafuar herezinë ariane. Kështu që gotët e njohën Krishterimin sipas herezisë së arianizmit.

Në vitin 376 Vizigotët kapërcyen Danubin dhe u vendosën në Mesie. Perandori Valenus (364-378) i lejoi ata që të vendoseshin nëpër provincat e perandorisë, me kusht që të bëheshin të krishterë. Pasi u vendosën në Ballkan Vizigotët ngritën krye kundër perandorisë Bizantine. Ata mundën të fitonin betejën e Adrianopojës në vitin 378, duke vrarë edhe perandorin Valenus.

Disa vite më vonë, perandori Theodhosi i Madh (386-395), mundi t’i zmbrapste dhe t’i nënshtronte. Në vitin 386, rreth dyzet mijë gotë luftonin për ushtrinë perandorake të Theodhosit. Mbas vdekjes së tij, më 395 perandoria iu nda dy djemve të tij, Arkadit për Lindjen dhe Onorit për Perëndimin. Gjatë sundimit në Konstandinopojë Arkadi (395-408) tetëmbëdhjetëvjeçar ra nën ndikimin e një diplomati got. Meqenëse, si Roma ashtu dhe Konstandinopoja dëshironin të kishin nën zotërimin e tyre Ilirinë, Arkadi dërgoi ushtritë gote me në krye Alarikun për të plaçkitur Thrakën, Thesalinë e Maqedoninë. Më pas Arkadi do caktonte Alarikun si dukë të Ilirisë. Në vitin 410 vizigotët nën udhëheqjen e Alarikut pushtuan dhe Romën. Por vdekja e kryetarit të tyre më 411, krijoi një gjendje të konfuze. Pas kësaj, vjehrri i Alarikut, Ataulfos, do t’i çonte ata drejt Francës e Spanjës, të populluara nga fiset gjermane të Vandalëve. Mbas betejave të ashpra me ta, vizigotët mundën të zotëronin Francën Jugore e Spanjën, në vitin 418. Pasi nënshkruan një traktat paqeje me perandorin e perëndimit Onorin, u vendosën në provincën romake të Ilirisë.

Tek Vizigotët arianizmi u braktis përfundimisht në kohën e mbretit Rekaredo (586-601), i cili i ndikuar nga episkopi i Sevilies Leandro u kthye në besimin e drejtë në vitin 586. Në vitin 589 Rekaredo do të thërriste Sinodin e Toledos, në të cilin u dënua arianizimi.

Andrea Llukani