Para pak kohësh ndërroi jetë në moshën 87-vjeçare znj. Androniqi Zengo (Antoniu), një piktore e shquar, bijë e familjes së dëgjuar me traditë prej shekujsh të ajiografëve dhe priftërinjve nga Dardha e Korçës (5 klerikë vetëm në 100 vjetët e fundit). Ajo ishte një besimtare që diti të respektonte traditën orthodhokse dhe atin e saj, të vlerësonte punën e tij e ta ndiqte atë në këtë profesion të nderuar.
Pas mbarimit të studimeve për pikturë punoi si mësuese vizatimi në Korçë dhe Tiranë. Ekspozoi për herë të parë më 1937 dhe kështu vazhdoi, duke marrë pjesë në shumë ekspozita. Në Galerinë Kombëtare të Arteve ruhen rreth 57 vepra të saj. Zonja Androniqi si edhe motra e saj Sofia, janë dy piktoret e para gra të shek. XX në Shqipëri, të cilat përveç gjinisë së peisazhit dhe portretit janë marrë edhe me ajiografi. Me këtë rast m’u kujtua, skulptori Arkile Papadhimitri, kunati i saj, një mik i familjes, i cili ishte dhe nga krahina jonë, Pogoni. Me tim atë ishin miq të kulturës e besimtarë të devotshëm, shokë që rrihnin mendime. Madje, ashtu thjeshtë siç lidheshin intelektualët e kohës të paraçlirimit, edhe im atë ishte njohur me familjen Zengo, bijat dhe dhëndurët e tyre.
Afërsia me ta, sidomos me Sofinë dhe Arkilenë, bëri që Arkilea duke ditur zakonin e tim ati, që mbante shënime, por edhe mblidhte të tilla nga të tjerë, t’i dorëzojë atij një bllok të vogël prej 8 fletësh (në krye shkruan “janar 1959”), që përmban pjesën: “Biografia e Vangjel Papaioanu Zengo, nga Dardha e Korçës”.
Për këtë familje të nderuar është shkruar edhe më parë, por veçantia e radhëve të mëposhtme, qëndron në atë, se i kanë shkruar vetë familjarët e tij. Në të gjen të dhëna për pikturimet e tij në kisha të ndryshme:
“Lindur në Dardhë më 1878 nga një familje fshatare; babai i tij kishte mbaruar gjimnazin grek dhe u bë dhaskal e prift i Dardhës. Më 1891 mbaroi shkollën greke 6-vjeçare në Dardhë. Në vitin 1892, babai e dërgoi tek i vëllai, Igumen Grigori në Ajion Oros, në Karjes. Nën kujdesin e xhaxhait ka mësuar ajiografinë nga murgj ajiografë rusë për 13 vjet rrjesht deri më 1904, kur u kthye në Dardhë.
Më 1904 u martua me ish nxënësen e babait të tij Vasiliqi Korçari, me të cilën bëri 6 çupa, prej të cilave: 2 kanë studjuar pikturë në Akademinë e Arteve në Athinë dhe njëra e ka mësuar pikturën me praktikë.
Në vitin 1905 filloi të pikturojë kishën e Dardhës e të tjera me ndihmën dhe të vëllezërve të tij Nikolla dhe Efthim, të cilët mësuan kështu ajiografinë dhe më vonë fotografinë.
Në vitin 1910 pikturoi kishën e Shën Gjergjit me ndihmën e Athanas Ziçishtit dhe priftit Sotir Kere. Në vitin 1915 iku në Greqi, në Armiro dhe Vollos, ku për tre vjet ka pikturuar në disa kisha. Në vitin 1918 shkoi në fshatin Kifisohoron Velicas, afër Athinës, ku për tre vjet pikturoi kishën e këtij fshati dhe të tjera përreth.
Më 1921 erdhi në Korçë dhe pikturoi Xhaminë e Madhe të Korçës me ndihmën e të vëllait Efthim.
Në vitet 1923-25 ka pikturuar kisha në rrethin e Korçës; ndërsa në vitin 1926 është thirrur në Tiranë nga Këshilli i kishës, ku vetë mori përsipër pikturimin e kishës së Tiranës (të Ungjillëzimit, që ishte aty ku sot ndodhet hotel Tirana). Po në atë kohë bëri edhe maketin e Templlos së po kësaj kishe, i cili u aprovua.
Mbaroi në një kohë rekord, 6 muaj dhe me një kualitet të lartë të tëra pikturimet e kishës, aq sa edhe këshilli e nderoi dhe e lavdëroi punën e tij artistike.
Në vitin 1927 ka pikturuar kishën e Shën Marisë në varrezat në Korçë, me ndihmën e çupës së tij Thomaidha. Në vitin 1928 pikturoi kishën e Shën Thanasit me ndihmën e çupës së tij Androniqit. Në vitin 1929 pikturoi kishën e Shën Nikollës të Hoçishtit.
Në vitin 1931 dërgoi Androniqin për studime në pikturë në Athinë në Akademinë e Arteve të Bukura (Mesojion Politehnion), të cilat i mbaroi në vitin 1935.
Në vitin 1935 pikturoi bashkë me Androniqin gjysmën e kishës së Mitropolisë së Korçës dhe disa kisha të tjera në fshatrat e Korçës.
Në vitin 1937 pikturoi kishën e Shën Triadhës si dhe kisha të tjera, me ndihmën e çupës së tij Sofia, gjatë kohës, kur ajo kthehej për pushime nga studimet që bënte në po atë Akademi, ku studjoi dhe Androniqi. Më 25 mars 1941 vdiq.
Në pinakotekën (Galerinë) e Arteve Figurative në Tiranë janë këto vepra të tij në bojë vaji:
1. Kryqëzimi i Krishtit, 30×40 cm.
2. Portret i shërbëtorit të manastirit.
3. Portret i dhuruesit Anastasi Lakçe nga Korça, 45×60 cm.
4. Dy kokë shenjtorësh (studim).
Ka bërë edhe piktura të tjera, si p.sh. lufta e Skënderbeut 100×80 cm, të cilën e kishte shkolla femrore (sot shkolla pedagogjike) në Tiranë. Gjithashtu në shtëpinë e tij në Korçë ndodhen edhe disa piktura të tjera, si Profit Ilia, 100×70 cm etj, madje dhe portreti i tij duke piktururar, 100×70 cm, që e ka bërë Androniqi.
Shkrojtur nga:
1. Prof. Konta,
2. Vasiliqi Vangjel Zengo,
3. Androniqi Vangjel Zengo,
4. Sofia Vangjel Zengo. Tiranë, më 15.III.1959.”
Këto dëshmi janë me vërtet të çmuara, sepse vijnë nga njerëz të afërm, njerëz të dëgjuar, që i kanë dhënë shumë kulturës sonë kombëtare.
Në periudhën pas çlirimit, bijat e tij artiste janë vlerësuar disi për krijime të reja të tyre, por asnjëherë nuk është shkruar apo diskutuar për krijimtarinë e tyre ajiografike, një boshllëk që mbetet për t’u plotësuar sot nga specialistë të mirëfilltë të artit ikonografik.
Në vazhdim dua të shtoj disa shënime të At Marko Papajanit, kur shkruan për kishën e Evangjelizmoit në Tiranë, e cila u pikturua në periudhën 1964-65:
“..Ndërsa pikturimin e Zotit Krisht, lart në kube (Pandokratorin), katër Ungjillorët, katër Profetët, katër engjëjt përreth kubesë i ka pikturuar znj. Androniqi Zengo (Antoniu) me shpenzimet e kishës prej 168000 lekë. Ndërsa vizatimet dhe dekorin përrreth kubesë, si edhe dekorin e vizatimet e ikonostasit me allçi e të lyer me bojra, 14 kapitelet, e vëna në krye të çdo kollone me figurë pëllumbi, 6 projektorë – të gjitha këto i ka bërë skulptori z. Arkile Papadhimitri, për 346000 lekë.
Pra, kemi dëshminë e një kontributi të rëndësishëm për artin e ikonografisë, të dhënë nga kjo familje, madje në kohën më kritike për fenë, në periudhën e ateizmit shtetëror.
Kristofor Beduli