E mbushur me përkujdesjen e “Bariut të mirë” edhe për “delen” e fundit të Perëndisë, ishte vizita e fundit shtatëditore e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Anastasit, në disa fshatra të Mitropolisë së Gjirokastrës. E themi këtë, sepse Kryepiskopi edhe kësaj here nuk harroi njërën nga zonat më të vështira, që për mungesën e infrastrukturës rrugore ngjan si vend i pashkelur.
Konkretisht, të hënën, 22 maj, Kryepiskopi ishte mes banorëve të krahinës së Theollogos, një zonë e banuar nga komuniteti grek, me traditë të pasur orthodhokse, e mbushur me kisha dhe manastire të vjetra me vlera të veçanta. Pas pritjes emocionuese, qindra banorë, pleq dhe fëmijë, me në krye Kryebariun, u drejtuan me këmbë nga Cerkovica, tek Manastiri i “Shën Joan Theologut”, ku u psall Dhoksologjia, si falenderim për Perëndinë, për gjithçka të bukur na fal dhe në veçanti, për atë takim kaq prekës dhe emocionues. E mbushur me mëshirën e Perëndisë ishte fjala e Kryepiskopit, me fjalë kurajoje e guximi, në mënyrë që kjo dëshmi e gjallë orthodhoksie të vazhdojë në ato treva, pavarësisht nga vështirësitë.
Por, Kryepiskopi nuk mjaftohet vetëm me fjalë. Në sajë të kujdesit të tij u hapën dhe u përmirësuan 19 km rrugë, që lidhin fshatrat e kësaj zone.
Gjithashtu, me ndërtimin e kishave si ajo në Memoraq (Shën Nikolla) ose në Grizadham “Shën Anargjendet” mbahet i gjallë mesazhi i shpresës.
Veçanërisht e paharruar do të jetë vajtja e Kryepiskopit në fshatin e fundit të territorit të Shqipërisë, në Karroq. Atje, mes besimtarëve që vazhdojnë të qëndrojnë në fshat, himni i Ngjalljes kishte një tingëllim të veçantë. Kryepiskopi i ishte gjendur pranë këtij fshati sikundër pranë të gjithë orthodhoksëve të Shqipërisë, gjatë vitit ’97. Atëherë përveç ndihmave ushqimore, u dërgua edhe gjithë materiali i nevojshëm për rikonstruksionin e Kishës. Dhe falenderimet ndaj Kryepiskopit ishin të pasuara nga autoritetet dhe besimtarët, ndonëse ishin orë të kaluara. Fortlumturia e Tij bekoi një nga një të gjithë banorët edhe në veçanti fëmijët e fshatit.
Gjatë kësaj vizite në zonën e Theollogos, Kryepiskopi ndaloi gjithashtu në fshatrat Shën Andrea, Dhivër dhe Sminec. Përveç tufave të pasura me lulet e stinës, fëmijët me programet e tyre të vogla kishin për t’i treguar Kryepiskopit arritjet e tyre në mësime, në katekizëm, me këngë dhe valle të zonës.
Ndërkaq, të premten, 19 maj, duke iu përgjigjur ftesës së Kryetarit të Komunës së Livadhjasë, Kryepiskopi Anastas u gjend midis të rinjve të shkollave të mesme të rrethit të Sarandës, që organizuan në Livadhja, spartakiadën e tyre sportive. Garat dhe lojrat u zhvilluan në terrene sportive, që janë përgatitur si dhuratë e Kryepiskopit, në krah të Kishës së re të “Shën Kozmait”. Pas përfundimit të programit, medaljet për ekipet dhe sportistët i shpërndau tek 65 fituesit Kryepiskopi Anastas. Do të jetë një çast i paharruar, për të gjithë këta të rinj, që përveç medaljeve morën atë ditë dhe porositë e çmuara të një personaliteti sikundër Fortlumturia e Tij, për vazhdimin me zell dhe kujdes të betejës së jetës.
Të shtunën e Transferimit të Lipsanit të Shën Nikollës, Kryepiskopi mori pjesë ne Manastirin e vjetër të Mesopotamit, që kremtonte dhe predikoi atje fjalën e Perëndisë për besimtarët e shumtë, që vit për vit marrin pjesë në atë panair. Fortlumturia e Tij, me porosi të shumta shpirtërore dhe atërore, u foli banorëve për nevojën e shtimit të besimit në të vërtetën, të krenarisë për gjithë atë trashëgimi të pasur të traditës orthodhokse, dëshmi e së cilës është vetë ai monument i rrallë manasterial. Sivjet, për të gjithë banorët e zonës dhe të Mesopotamit në veçanti, ishte një surprizë e këndshme, që për të arritur tek Manastiri nuk u desh më të kalonin në lumin e Bistricës, por në një urë të re, e cila u ndërtua me përkujdesjen e Kryepiskopit, si shenjë e mbeshtetjes qe ai jep kudo, për të përkrahur përpjekjen e komuniteteve orthodhokse, për të përmirësuar kushtet e të jetuarit. Te gjithë, banorët dhe autoritetet e zonës, vizituan bashkë me Fortlumturinë e Tij, vendin në qendër të fshatit, të cilin ata e ofrojnë për të ndërtuar kishën e enorisë, e cila mungon.
Ditët e mëparshme Kryepiskopi u takua edhe me nxënësit e Skollës së Mesme Kishtare “Kryqi i Nderuar” dhe në veçanti me maturantet e saj, për të vlerësuar mendimet e tyre për ecurinë dyvjeçare te kësaj Shkolle dhe për t’u dhënë porosi për vazhdimin e arsimimit të tyre, me synim kryesor orientimin tek Akademia Theollogjike e Ngjalljes në Durrës.
Në kohën në vijim, Kisha Orthodhokse do të jetë më dinamikisht e pranishme ne sektorin e arsimit. Për këtë qëllim, po bëhen të gjitha përgatitjet për sigurimin e godinave në qendrën e madhe EMAUS, në Gjirokastër, ku Kryepiskopi bashkëpunoi me arkitektët që përgatitin rikonstruksionin; në kompleksin e godinave në Dervician etj. Ndërkohë që, pikërisht ato ditë u ble për Shkollën e Mesme edhe një godinë për zgjerim, me sipërfaqe 500 m2.
Kështu, Kryepikskopi Anastas di të japë gjithnjë një përmasë tjetër periudhës Paskale, me mesazhe ngjallësore, që të mbushin me optimizëm dhe e bëjnë më konkrete frazën e Tij të dashur: “Ekziston Shpresë!”…