EmailFacebookKontakt

Çekia dhe Sllovakia me Kryepiskop të ri

Të dielën më 4 qershor, gjithë bota Orthodhokse përjetoi një ngjarje të gëzueshme, sepse në Preshevë të Sllovakisë u bë ceremonia e Fronëzimit të Kryepiskopit të ri të Pragës dhe Preshevës, Çekisë dhe Sllovakisë dhe gjithë tokës Çeke, Nikollai.

Merrnin pjesë në këtë ceremoni, duke treguar edhe njëherë unitetin midis kishave Orthodhokse, edhe përfaqësues të kishave të tjera simotra: Patriarku i Aleksandrisë Petro, përfaqësuesi i Patriarkanës, Mitropoliti i Filadelfias Meliton; përfaqësues dhe episkopë nga kishat e Greqisë, Hungarisë, Finlandës, Rusisë, Izraelit, Rumanisë, Bullgarisë, Polonisë, etj.

Nga Kisha Orthodhokse Autoqefale ishte i pranishëm vetë Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi, i cili shprehu në fjalën e Tij gëzimin e një kishe motër, për plotësimin e vendit bosh të Kryepiskopit dhe se Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ndjek me kujdes të veçantë përparimet në Kishën Çeko-Sllovake.

Në fund, ai i dorëzoi Kryepiskopit të ri një ikonë të “Ngjalljes” dhe një triqeri prej argjendi, të punuar nga agjiografët e rinj dhe artizanët shqiptarë.

Mbresa të veçanta la për përfaqësuesit e Kishës Orthodhokse të Çekisë dhe Sllovakisë vizita e Fortlumturisë së Tij, Imzot Anastasit, në Universitetin Teologjik dhe seminarin teologjik të Preshevës. Ai diskutoi për problemet që dalin për mendimin teologjik në këtë periudhë të re që po kalojnë dy vendet, para dhe pas regjimit totalitar ateist, si dhe perspektivat për të ardhmen. Në takimet me studentë dhe pedagogë të ndryshëm, u shpreh dhe ideja e një bashkëpunimi në të ardhmen midis Universiteit Teologjik të Preshevës dhe Akademisë sonë Teologjike në Durrës.