EmailFacebookKontakt

Ditë të paharrueshme mes historisë e natyrës së Voskopojës

Eshtë bërë traditë tashmë që programi mësimor në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, të përfundojë në një ekskursion. Këtë vit studentët patën privilegjin të vizitonin qytetin me histori të shquar të Voskopojës. Gjatë programit mësimor ata qenë njohur me vlerat dhe traditën e Voskopojës, ndërsa tani kishin mundësinë për t’i konkretizuar njohuritë e mara në Akademi, në lëndën e “Historisë së Kishës Shqiptare”.

Historia e themelimit të Voskopojës e ka zanafillën që në vitin 1330. Sipas legjendës që qarkullon edhe sot e kësaj dite, nga pleqtë e moçëm thuhet se: “Disa barinj endacakë, di ke kërkuar kullota të begata për bagëtitë e tyre gjetëm një lugmë pranë fushës së Korçës. Në vjeshtë kur do të largoheshin me kopetë e tyre, ata bënë një zjarr të madh, të cilin e gjetën ende të ndezur kur u kthyen në pranverë. Pikërisht në vendin e zjarrit vendosën të ngrinin kishëzën e Shën e Premtes.

Në fillim vetëm verën e kalonin në atë vend, por kur u shtuan shumë e nuk mund të vërtiteshin sa andej – këndej, ata provuan të lënë një plak në një kolibe, me ushqimet që i nevojiteshin dhe ai dimëroi për bukuri. Atëherë u vendosën përfundimisht”.

Me të mbërritur në Voskopojë, studentët vazhduan pelegrinazhin drejt Manastirit të Shën Prodhromit. Ndërtimi i Manastirit ka filluar në vitin 1632, me iniciativën e Arhondit Jorgji Milingjeri dhe pas dy vjetësh, më 14 korrik 1634, u përurua kisha.

Ikonografia e kishës daton në vitin 1659. Manastiri feston më 24 qershor në të kremten e Shën Joan Pararendësit. Në këtë ditë, banorë të zonës, besimtarë nga Korça e i gjithë rrethi, vërshojnë në panairin e madh, që zhvilldhet në natyrën piktoreske përreth manastirit.

Në vijim të ekskursionit, studentët e Akademisë do të vizitonin kishat e Shën Marisë, Shën Nikollës, Shën Thanasit e të Shën Mihalit, të pikturuara nga mjeshtërit ikonografë David Selenica dhe vëllezërit Konstandin e Athanas Zografi. Të shoqëruar nga prifti i Voskopojës, At Thoma Samara, të rinjtë do të kundronin afresket e vjetra dhe me vlerë unike.

Pasi u larguan nga Voskopoja, studentët do të vizitonin kishat e vjetra të fshatit Boboshticë, atë të Shën Kollit dhe të Shën Joan Pagëzorit duke ndjekur me interes rrëfimet e Sotir Babulit.

Pasditja do të vazhdonte me një takim me të rinjtë e Lidhjes Orthodhokse të Korçës, në shtëpinë e Rinisë së këtij qyteti. Studentët u njohën me veprimtaritë e tyre. Më pas u vijua me bisedën e Mitropolitit të Korçës Imzot Joanit, i cili u foli studentëve për dioqezën dhe për detyrat që i presin tani që përfunduan studimet.

– Të mos e fillojmë me ankesa, – iu drejtua ai të rinjve, – sepse detyra jonë nuk është që të theksojmë të metat dhe mangësitë, por të përmirësojmë ato dhe të falenderojmë Perëndinë.

Dita e diel do të sillte Liturgjinë Hyjnore në Katedralen e “Ngjalljes”, që u krye nga Mitropoliti Joan. Bashkëmeshuan edhe Protopresviter Jani Trebicka, At Efremi, At Luka Veroni, At Gjerasimi, Hierodhjakonët Andon dhe Nikolla etj.

Studentët e Akademisë do të largoheshin nga Korça duke marrë me vete mbresat e kujtimet e paharruara, të fiksuara nëpër fotografitë e shumta, si edhe nëpër ditaret personale.

Andrea Llukani