Nga 31 – 2 qershor, në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest, u zhvillua Konferenca “Feja dhe Pajtimi në Evropën Juglindore”. Ajo u organizua nga “Iustitia et Pax Communitee”, e Konferencës së Episkopëve katolikë të Hungarisë, me mbështetjen e Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Traditës Kulturore Kombëtare.
Në të merrnin pjesë përfaqësues të feve të ndryshme nga Shqipëria, Bullgaria, Rumania, ish-Jugosllavia, Maqedonia, Hungaria dhe përfaqësues nga Bashkimi Evropian. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë u përfaqësua nga Fortlumturia e Tij Anastasi, prania, përvoja dhe kontributi i të cilit u vlerësua nga të gjithë të pranishmit.
Disa nga temat që u diskutuan ishin: “Pakti i stabilitetit për Evropën Juglindore dhe komunitetet fetare”, “Bazat teologjike të pajtimit”, “Lidhja midis identitetit kombëtar dhe fesë”, “Kontributi i Fesë për një bashkëpunim paqësor” dhe “Dialogu e bashkëpunimi ndërfetar”, ku referatin kryesor e mbajti Kryepiskopi Anastas.
Të bënte përshtypje kujdesi i shtetit dhe qeverisë hungareze për çështjet e fesë. Kjo gjë u duk dhe në ftesën e veçantë që ministri i Traditës Kulturore Kombëtare të Hungarisë i bëri Kryepiskopit Anastas dhe në bisedat e ndryshme, në drekën që u shtrua për nder të vizitës së Fortlumturisë së Tij (Eshtë ky një shembull, që do duhej të ishte i vlefshëm edhe për vendin tonë).
Interesante ishin diskutimet dhe debatet jo vetëm brenda seancave të Konferencës, por edhe gjatë kohës së lirë, midis përfaqësuesve të komuniteteve të ndryshme, si dhe vizitat dhe bisedat e shkurtra, që u bënë me pjesëmarrjen e gjithë delegatëve, në një kishë orthodhokse, në një kishë reformiste (protestante), një teqe bektashiane të Gyl Babasë, si dhe në katedralen katolike.
Nga të pranishmit dhe organizatorët u theksua, se veprimtari të tilla janë të vlefshme për njohjen e problemeve fetare që ekzistojnë në Evropën Juglindore dhe u shpreh dëshira që konferenca të tilla të bëhen dhe në të ardhmen.
J. Papadhopulli