URTESIA E SOLOMONIT
Libri “Urtësia e Solomonit” na jep një mësim të vyer për njohjen e të mirave të urtësisë nga njëra anë, si dhe të këqijave që sjell pabesia nga ana tjetër. Autori i librit është anonim. Emërtimi i librit ka për qëllim të theksojë famën e Solomonit, si një mbret i urtë (A i Mbret. 5:9-14) dhe tregon prirjen e asaj periudhe, për t’ia atribuar atij pjesën më të madhe të shkrimeve mbi Urtësinë.
E veçanta e këtij libri është, se është i vetmi libër i Dhjatës së Vjetër që origjinalin e ka të tërin të shkruar në gjuhën greke. Vendi i shkrimit është Aleksandria, në Egjipt dhe kjo është arsyeja që libri nuk përfshihet ne Biblën Hebraike.
Gjendet në përkthimin e të Shtatëdhjetëve (Septauxhentës), i cili e përfshin në librat “Poetikë – Didaktikë” të Dhjatës së Vjetër.
Që në fillim autori na njeh me temën kryesorë të librit duke përmendur rolin e urtësisë në jetën e njeriut dhe më pas bën një krahasim midis fatit të të drejtëve dhe të padrejtëve, në këtë jetë dhe pas vdekjes. Vazhdohet më tej, me analizën e prejardhjes dhe të natyrës së urtësisë, duke paraqitur edhe mënyrën e përvetësimit të saj. Së fundi, brenda kuadrit të historisë së shenjtë, duke përmendur ngjarjet e Eksodit të izraelitëve nga Egjipti, shqyrtohen frytet e urtësisë tek populli i zgjedhur dhe i bëhet një kritikë e ashpër idhujtarisë.
Qëllimi i librit është të mbështesë besimin e lëkundur të judenjve, si pasojë e arritjeve dhe shkëlqimit të kulturës në Aleksandri, si dhe të tërheqë idhujtarët në besimin tek Perëndia i vërtetë. Karakteristika e veçantë e kësaj vepre është dhe ndikimi i filozofisë greke dhe konkretisht asaj Platonike e cila vihet re në disa nga mendimet e hartuesit dhe kryesisht në përdorimin e gjuhës.