Të shtunën, 15 prill, u zhvillua një veprimtari krejt e veçantë. Rinia Orthodhokse “Bij të Dritës” u mblodh në rrënojat e Kishës së lashtë të Shën Joanit, në Tiranë. Ato u zbuluan gjatë ndërtimit të pallateve përballë Institutit të Kulturës Fizike dhe u shpallën Monument Kulture. Rrënojat janë dëshmi e vazhdimësisë së banimit dhe asaj kulturore në trevën e Tiranës, si dhe e rrënjëve të thella të zhytura në histori të krishterimit në vendin tonë.
Përveç të rinjve, veprimtaria solli në mjedisin muzeal edhe Kryepiskopin Anastas, klerikë, besimtarë, studjues të antikitetit etj.
Pas hapjes, arkitekti i ri Joan Stratobërdha mbajti referatin “Monumenti i Kishës së Shën Joanit”, ku bëri një përshkrim të zbulimit e vlerave të tij (pjesë nga i cili po i botojmë në këtë numër). Më pas, Kori i Muzikës Bizantine “Shën Joan Kukuzeli”, i Kishës sonë, këndoi himne dhe lutje të ndryshme.
Pastaj të pranishmit i përshëndeti Fortlumturia e Tij, Prof. Dr. Anastasi, i cili theksoi rëndësinë e nismave të tilla dhe rëndësinë e ndihmesës së rinisë në ruajtjen e dëshmisë historike, si dhe premtoi kontribut për mbulimin e mozaikëve të zbuluar, për ruajtjen e tyre.
Në veprimtari foli gjithashtu edhe arkeologu dhe studiuesi Aleksandër Meksi, i cili tregoi për zbulimin dhe punimet e bëra për ruajtjen e monumentit, si dhe për vlerat e tij historike.
Korresp. i “Ngjalljes”
Arkitektura paleo-kristiane, krahas ndërtimeve bashkëkohore të gjinive të tjera, mbyll një epokë të tërë historike, atë të ndërtimeve ilire. Ajo përbën fazën e fundit të trashëgimisë sonë arkitektonike, përpara ndryshimeve të mëdha që ndodhën në gadishullin Ballkanik në fund të shekullit V.
Me lejimin e besimit të krishterë, në vitin 313 filluan ndërtimet e një sërë faltoreve. Si për gjithë botën mesdhetare, tipat arkitektonikë që përdoren janë me planimetri qendrore dhe njënefëshe.
Kësaj periudhe i përket edhe shtëpia – kishë e “Shën Joanit”. Ajo doli në dritë rastësisht, në vitin 1972, gjatë punimeve për ndërtimin e banesave me kontribut vullnetar. Në fillim, u zbulua një ndërtim i kohës së lashtë, me një mjedis të shtruar me mozaik. Punimet u ndaluan menjëherë, por monumenti i zbuluar ishte dëmtuar rëndë dhe hapësira që zinte ishte çarë nga kanalet e hapura për themelet. Filluan menjëherë punimet për shpëtimin e monumentit, por u desh më parë të minimizoheshin pasojat e punimeve të ndërtimit dhe pastaj të bëheshin gërmimet e mirëfillta. Ato i realizoi një ekspeditë e përbashkët e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Ky i fundit organizoi njëkohësisht dhe punimet për ruajtjen dhe mbrojtjen e bazilikës së zbuluar.
Pyetja e parë që lindi, ishte: Çfarë tregonin mbeturinat e lashta që po dilnin në dritë dhe cilës kohë i përkisnin. Gjatë punimeve të para në kanalet e hapura nën dyshemenë me mozaik, vende – vende binin në sy pjesë muresh dhe fragmente tjegullash të ripërdorura, të cilat i përkisnin një ndërtimi më të lashtë. Edhe në gjetjet arkeologjike kishte natyrisht në numër të pakët, copa enësh, tjegulla e tulla, te cilat tregonin se vendi kishte qenë i banuar që në shek. I pas Krishtit.
Vrojtimi i vendit dhe i gjetjeve arkeologjike, të bën të mendosh se banesa më e hershme lidhej me një godinë të thjeshtë për qëllime fetare.
Eshtë me interes për t’u kuptuar jo vetëm zgjedhja e vendit për banim, por edhe zhvillimi që ai pati në shekujt e mëvonshëm. Dy vrojtimet e karakterit gjeografik – pozicioni relativisht i ngritur i bregores së vendbanimit në krahasim me fushën që shtrihej në perëndim dhe në jug dhe së dyti tregimi për një përrua, i cili shumë vjet më parë kalonte jo shumë larg vendit të këtij zbulimi. Meritojnë të përmenden edhe zbulimi i materialit arkeologjik prhnë terrenit sportiv të Institutit të Lartë të Kulturës Fizike.
Gërmimi arkeologjik i shtëpisë – kishë përbëhej në radhë të parë nga naosi që shtrihet pas narteksit, 20 cm më lart, me përmasa 8 x 11.5 m, me dysheme të shtruar me mozaik. Mozaiku i naosit është i ndarë me katrorë dhe rrathë. Përveç disa elementëve dekorativë ka edhe motive të reja si spirale, rreze të lakuara dhe kantarë. Absida është shtruar gjithashtu me mozaik dhe e ngritur një këmbëshkallë pjesa tjetër. ndryshe nga mjediset e tjera, ajo është zbukuruar me kubikë të mëdhenj. Motivet që e zbukurojnë janë kryesisht gjeometrike e floreale.
Në narteks ruhet më mirë mozaiku pranë murit lindor, deri në gjysmën e shtrirjes për ngajugu, duke i lënë të veçuara tri fragmente të rëndësishme në lidhje me një rikonstruksion ideal të dhomës. Kurse qendra e tij, që duhet të kishte qenë më e pasur me motive dhe ngjyra, fatkeqësisht u gjend e dëmtuar rëndë. Mozaiku i hajatit që zgjatet para sallës ka një dekoracion tjetër.
Pas përfundimit të gërmimeve dhe kërkimeve arkeologjike, të cilat u drejtuan nga Prof. Aleksandër Meksi, u kryen punimet e konservimit, të cilat patën si qëllim ndalimin e degradimit të mëtejshëm të mozaikut. Dëmtimet mjaft të rënda në këtë monument, që ndodhej 30 – 40 cm nën nivelin e tokës, kishin lënë me mozaik rreth 56 m2 nga 165 m2 të sipërfaqes.
Elementë të tjerë dekorativë, planimetria e godinës dhe materiali arkeologjik, na sugjerojnë fundshekullin V, si kohë të ndërtimit të kishës dhe pjesës më të madhe të mozaikëve. Megjithëse në këta mozaikë ka shumë motive të vjetra kompozimi, elementë dekorativë si shpendë, peshq etj., tregojnë se ai lidhet me mozaikët paleokristianë, të cilët gjithashtu i kemi parë në shumë monumente të këtij lloji, të ndërtuara në vendin tonë në shekujt V dhe VI.
Me përjashtim të apsidës, ku ishin vendosur kubikë më të mëdhenj prej copa tulle e tjegulle prej mermeri, në narteks dhe naos janë përdorur gjerësisht kubikë rreth 20 cm prej guri gëlqeror të bardhë, të kuq në rozë dhe të zinj. Këtu është përdorur në një masë të madhe balta e pjekur, kurse në ndonjë rast për figurimin e peshkut, shpendit apo vazos është përdorur brum qelqi jeshil dhe i verdhë.
Ndonëse mjaft i dëmtuar mozaiku i kishës së Shën Joanit, ku zbukurimet gjeometrike janë përdorur me gjykim, por edhe të kombinuara me motive të tjera, provon se arti i mozaikut ishte shumë i lulëzuar në provincat jugore ilire. Ato janë një provë e re e lulëzimit të artit të mozaikut jo vetëm në qendrat e mëdha qytetare, por edhe në vendbanimet rurale.
Muret anësore të kishës janë ruajtur vetëm nga ana veriore. Ndërmjet dy dyerve të naosit kalohet në ambjentet e tjera, që kanë si planimetri një formë drejtkëndore. Gjysmat e krahut verior të këtyre mjediseve kanë pasur një nivel më të lartë. Asgjë nuk është ruajtur nga muret e anës jugore. Në këtë krah prishja është bërë shumë kohë më përpara. Kjo u zbulua shumë qartë gjatë gërmimit, sepse shtresa e dheut që mbulonte mozaikun ishte shumë e hollë. Fakti që vendi për një kohë të gjatë ka qenë përdorur si arë për kulturat e ndryshme bujqësore, të lë të kuptosh se prishja është bërë herë pas here, edhe se punimet janë bërë me mjete të thjeshta.
Joan Stratobërdha
Arkitekt në Zyrën Teknike pranë Kryepiskopatës