Atmosfera e Pashkës në qytete e fshatra të rrethit të Fierit u ndie si rrallëherë. Masat e marra ishin shumë domethënëse për organizimin e festës tradicionale. U ngritën komisione të posaçme, të cilat morën përsipër të ndiqnin nga afër të gjitha veprimtaritë. U zbukuruan kishat, u ndriçuan si kurrë ndonjëherë, nga ana tjetër qytetet ndryshuan pamjen e tyre të zakonshme me banderola, parrulla dhe ndriçime në qendër dhe rrugët kryesore. Kjo në sajë të masave që morën edhe bashkitë e qyteteve.
Mbrëmja e së Premtes së Madhe në qytetin e Fierit nuk mund të përshkruhet dot nga madhështia dhe përmasat e jashtëzakonshme. Emocione të mëdha provoi i gjithë qyteti, i cili kishte mbushur rrugët dhe sheshet sëbashku edhe me besimtarët e fshatrave përreth. Mijëra qytetarë, si një lumë me prurje të madhe pambarim, shoqëronin epitafin me në krye klerikët. Bukurinë më të madhe ia jepnin fëmijët me rroba shumëngjyrshe, me sy vezullues dhe me qirinj në duar. Meritë për këtë ka edhe policia e qytetit, e cila u tregua shumë e gatshme për sigurimin e qetësisë dhe rregullit.
Shërbesa e Ngjalljes së Krishtit ishte çasti më kulmor i festimeve. Ajo filloi në ora 23:30 të së shtunës dhe vazhdoi deri në orën 3:00 pas mesnate. Nata e madhërishme e mbushi plot e përplot, si brenda dhe jashtë kishën, jo vetëm me besimtarët orthodhoksë, por të besimeve të tjera, të cilët prisnin me padurim Ngjalljen e Krishtit, që të dëgjonin thirrjen “Krishti u Ngjall!”. Dhe ja çasti erdhi. Thirrja nga At Ilia Bita u dëgjua dhe turma shumë e madhe u përgjigj “Vërtet u Ngjall!”, sa dëgjoi i gjithë qyteti.
Po kaq madhërishëm e përjetuan Pashkën besimtarët edhe në qytetin e Patosit dhe në fshatra, sidomos në Libofshë, ku kodërza e vogël e kishës së “Shën Gjergjit” nën dritën e qirinjve, nga larg të jepte përshtypjen e një dielli në lindjen e tij.
Në kishën “Ngritja e Kryqit të Nderuar”, të qytetit të Patosit, mesha e Ngjalljes së Krishtit u krye nga At Kostandin Doko, në kishën e “Shën Gjergjit” në Libofshë nga At Rafail Redhi, në kishën e Shën Kollit të Vanarit nga At Arqile Doko, në kishën “Ungjillëzimi” u krye nga At Aristir Ziu, në kishën “Shën Triadha” të Semanit u krye nga At Elazar Çullhai, në kishën “Fjetja e Perëndilindëses” të Pojanit nga At Sokrat Lako, në kishën “Shën Sotiri” të Agimit u krye nga At Ilia Zaka, në kishën e “Shën Petrit” të Shënpjetrës nga At Nikolla Mandro.
Në kishën e “Shën Gjergji” të Fierit dhe në atë të”Ngritjes së Kryqit të Nderuar” të Patosit, u bënë vizita nga përfaqësues të pushtetit, partive politike, shoqatave etj.
Në ditën e dytë të Pashkëve, duke festuar ditën e Ngjalljes, festojmë edhe ditën e Shën Gjergjit. Këtë e bëri më të gëzuar ardhja e Mitropolitit, Hirësisë së Tij Ignatit, në kishën e “Shën Gjergjit” të qytetit të Fierit. Pas Liturgjisë, Hirësia e Tij pati takime të ngrohta me besimtarët fierakë. Kremtim i tillë për ditën e Shën Gjergjit u bë edhe në kishën e Shën Gjergjit të Libofshës, ku meshoi At Rafail Rredhi.
Rrapi Bardhi