EmailFacebookKontakt

Pashka e parë e mijëvjeçarit të ri

Besimtarët Orthodhoksë kremtuan me madhështi ditët e shënuara duke filluar nga e Hëna e Madhe deri në ditën e Ngjalljes. Celebrimet e këtyre të kremteve të shënuara i drejtoi Mitropoliti, Hirësia e Tij Ignati, së bashku me Stavrofor At Vangjel Xoxen.

Shërbesa e Ngjalljes u krye në mjediset e jashtme të Kishës së Shën Spiridhonit. Kryebariu i dioqezës pasi tha: “Merrni dritë nga drita që nuk perëndon!” – që simbolizon Ngjalljen, iu drejtua qindra e qindra besimtarëve të pranishëm “Krishti u ngjall!” dhe ata iu përgjigjën njëzëri:”Vërtet u ngjall!”, e më pas u këndua nga të gjithë “Krishti u ngjall së vdekuri…”

Pas Liturgjisë Hyjnore, në fjalën e tij Imzot Ignati ndër të tjera theksoi: “Kjo është Pashka e parë e mijëvjeçarit të ri, për të përmbushur me dritë dhe shpresë jetën tonë, për t’i falur fuqi dhe qëndrueshmëri. Drita dhe mesazhi i Ngjalljes nuk njohin kufi. Ajo i gjallëron të gjithë, ndaj pushteti i Tij s’njeh epokë, ai s’kufizohet me një gjuhë e në një rajon. Emri i Krishtit sintetizohet me atë të pushtetit esencial për gjithçka që lëviz në hapësirë dhe kohë, ndaj Perëndia e lartësoi së tepërmi dhe i fali emrin që është përmbi çdo emër “shpëtimtar”. Pastaj Imzot Ignati u solli dhe mesazhin që iu drejtohet gjithë besimtarëve Orthodhoksë nga Kryepiskopi i Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi.

Ditën e diel ora 11:30 Mitropoliti, bashkë me klerikët Stavrofor At Vangjel Xoxa dhe At Petraq Simsia, pritën vizita në selinë e Mitropolisë. Erdhën për vizitë përfaqësues të Prefekturës, Bashkisë, deputetë, drejtues të institucioneve të ndryshme dhe shumë besimtarë.

Për të uruar erdhi dhe Kryemyftiu i Beratit Haxhi Qeramudin Durdija, Sheh Haxhi Xhemil Hoxha e përfaqësues të komunitetit mysliman.

Bukurinë, madhështinë e jehonës, jetëgjatësisë së atmosferës në këtë qytet ia jep dhe dita e shuarjes së qirinjve. Kjo festë e traditës popullore bëhet në kishën e Profet Ilia (Shëndëlli). Pas mbarimit të Liturgjisë, besimtarët u përhapën në mjediset e bukura të kësaj kodre duke qëndruar deri vonë. Këngët beratase, kënga e Ngjalljes së Krishtit, ambientet e zbukuruara enkas të japin imazhin e një sofre të vërtetë beratase, ku e veçanta është se në këtë sofër ka një bukuri, një Zot për të gjithë.

Sotir Mishaxhi