EmailFacebookKontakt

Java e shpresës dhe pajtimit

“Ejani merrni dritë prej dritës që nuk perëndon dhe lavdëroni Krishtin që u ngjall së vdekurësh.” Ky lajtmotiv kaq shprehës i realitetit shpirtëror të Pashkës është dhe simboli më kuptimplotë që ravijëzon Ekonominë e shpëtimit hyjnor dhe ndriçon hapësirat e gjithë jetës njerëzore. Dhe ky realitet shpirtëror është përjetuar tradicionalisht tek besimtarët e qytetit të Korçës dhe atëherë kur instrumentat demoniake të historisë deshën ta eklipsonin dritën e Ngjalljes.

Si zakonisht në Korçë, festimet dhe përgatitjet për këtë të Kremte të Madhe të Orthodhoksisë marrin një ritëm dhe përmasa mjaft të gjera. Jo vetëm për ditën e Pashkës, por gjatë gjithë Javës së Madhe parashijohet aroma e bukurisë së parë të njeriut, që do të shpërthejë aq vrullshëm dhe gëzueshëm ditën e Ngjalljes.

Duke filluar me të Dielën e Dafinave, me Shërbesat e Dhëndërrit, cikli liturgjik mjaft i pasur që ofron Kisha për besimtarët reflektohet nga një pjesëmarrje e lartë e njerëzve, të cilët i pasojnë shërbesat me devocion dhe ndjeshmëri të lartë fetare.

Por, padyshim, ditët e Pësimeve janë më të veçantat. Të Enjten e Madhe, në shërbesën e 12 Ungjijve, të gjitha Kishat e qytetit mbushen me besimtarë të panumërt, që përjetojnë dhe ndjekin Kalvarin e Zotit, duke të dhënë përshtypjen e një detaji të atyre ditëve të fundit të Krishtit mbi tokë, kur po kryhej aq dhimbshëm shpëtimi i natyrës njerëzore. Dhe vetë Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani, e vë theksin gjatë celebrimit të kësaj shërbese tek themelimi jashtë çdo perceptimi filozofik dhe mendor.

E Premte e Zezë; Fjalët nuk gjejnë forcë për të shprehur ravijëzimin e kësaj dite. Që në mëngjes këmbanat që tingëllojnë në ritëm mortor, natyra hedh një vel të hirtë dhe në zemrat e besimtarëve realiteti shpirtëror që po ndodh zbulon më së miri gjendjen e pashpresë të njeriut larg Zotit, pamundësinë për të jetuar dhe qenë larg Tij. Duket sikur koha ka ndalur dhe orët janë zbrazur nga përsiatjet e tyre ditore.

“Gjithë gjeneratat i blatojnë vaje varrirnit tënd o Krishti im.” Manifestimi ceremonial i pasditës përbën dhe kulmin e pjesëmarrjes. Si rrallëherë tjetër zhvillohet procesioni i varrimit të Zotit, ku me mijëra besimtarë dhe njerëz bashkohen me Epitafet, që dalin nga të 5 kishat ku zhvillohen ceremonitë e Javës së Madhe. Dhe kështu, të bashkuar dhe të shoqëruar me muzikë funebër, që ekzekutohet nga banda frymore e qytetit, përshkohet mistikërisht udha nga Golgothaja në Varrin e Shenjtë. Ky procesion marramendës, që zgjat rreth një orë, është një ndër aspektet më mbresëlënëse të festimeve.

“Fitorja e Krishtit mbi vdekjen është fitore për të gjithë, fitore në të cilën mund të gëzohet çdo njeri. Nëpërmjet Ngjalljes jeta u çlirua nga burgu i vdekjes, drita nga burgu i errësirës, dashuria nga burgu i urrejtjes dhe gëzimi e shpresa nga burgu i frikës e dëshpërimit…” Këto fjalë të shkëputura nga mesazhi paskal i Hirësisë së Tij Joanit, përshkruajnë shumë ndjeshëm dhe qartë çfarë u pa në Korçë ditën e Ngjalljes. Njerëzit të çliruar nga frika dhe pasiguritë e këtyre viteve të fundit, të shkëputur nga problemet e vështirësitë e së përditshmes, me llambadha dhe vezët e kuqe nëpër duar mbushnin sheshin qendror të qytetit, përpara katedrales madhështore “Ngjallja e Krishtit”, si rrallë ndonjëherë tjetër gjatë gjithë këtyre viteve të fundit. Qyteti ngjante me një liqen drite. “Krishti u Ngjall!” dhe sheshi oshëtin nga përgjigjja “Vërtet u ngjall!”. Njerëzit shpërndajnë dritën e ngjalljes dhe çdo gjë ndrit; çdo rrugë, çdo cep është kthyer në një arterie drite.

Dhe jeta përsëri vjen në risinë e saj, njeriu është përsëri i aftë për t’u bërë qytetar i parajsës, sepse Zoti u ngjall, sepse Ai e mundi dhimbjen dhe pesimizmin. Dhe ceremonia vazhdon me Liturgjinë e Pashkës, ku besimtarët kurorëzojnë me sukses përpjekjet e tyre sarakostike dhe shijojnë panairin e panaireve.

Të dielën në mëngjes, siç është bërë tashmë traditë, kryhet shërbesa e Mbrëmësores së Dashurisë në Kishën e Burimit Jetëdhënës, ku në shumë gjuhë të botës shpallet triumfi i dritës mbi errësirën, i shpresës mbi agoninë e prishjes. Në fund, nga ballkoni i rezidencës së Mitropolisë së Hirshme besimtarët e mbledhur tek sheshi para saj marrin edhe njëherë urimet dhe bekimet e Hirësisë së Tij për një Pashkë sa më të ndritur shpirtërore dhe frytdhënëse në çdo aspekt të jetës. Më pas, përvijohet me vizita dhe urime të shumta në ambjentet e Mitropolisë, ku Hirësia e Tij pret urimet e rastit nga qytetarë, besimtarë, organizata politike dhe diplomatike. Vlen të përmendet dreka që shtrohet nga Mitropolia për të gjithë të varfërit dhe më të papërkrahurit e qytetit, të cilët më shumë se kushdo tjetër kanë të drejtë t’i gëzohen Ngjalljes së Krishtit.

Të Hënën e Ndritshme në kinoteatrin e qytetit besimtarët ndoqën koncertin festiv tradicional të Pashkës, që organizohet nga Mitropolia, ku grupe dhe shoqëri korale të qytetit interpretuan mjaft bukur e me nivel të lartë artistik hymnet dhe këngët e Pahkës, duke u falur këtyre ditëve të bardha të Ngjalljes një emotion më tepër.

Anesti Dhima