Fortlumturisë së Tij Anastasit
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
Me afrimin e festës së Pashkëve, këtë vit pata gëzimin të kryej një pelegrinazh në Tokën e Shenjtë dhe e të eci në gjurmët e Zotit tonë Jisu Krisht dhe të Apostujve. Unë u luta atje ku Krishti u lind, ku Ai dëshmoi, ku u lut; ku vuajti pasionin e Tij, ku Ai vdiq dhe u ringjall, në të njëjtat vende ku thirri dymbëdhjetë apostujt dhe i përgatiti për shërbimin e tyre.
Kudoqoftë gjatë këtij pelegrinazhi të Kreshmës, në Malin e Lumërimeve, gjatë Rrugës së Dhimbjes, në këmbët e Kalvarit apo përballë varrit të zbrazët, misteri paskal më mbërtheu në gjithë fuqinë e tij. Në vendin e Darkës Mistike, ku munda të celebroj Eukarestinë, e mbarova omelinë time me këto fjalë: “Në bashkim me Marinë, me martirët dhe gjithë të pagëzuarit që kanë jetuar në Hirin e Shpirtit të Shenjtë, ne themi me forcë: Marana tha! “Eja Zot Jisu!” (Apo. 22, 20). Drejtona, drejto gjithë ata që Ti i ke zgjedhur në plotësinë e hirit të Mbrëtërisë tënde të përjetshme”.
Në Jerusalem, u kujtova për fjalët e thëna nga Petri, në prani të Apostujve të tjerë, ditën e Pentekostisë: “Këtë Jisu ngjalli Perëndia, për të cilën ne të gjithë jemi dëshmitarë. Duke u ngritur, pra, në të djathtën e Perëndisë, dhe duke marrë nga Ati premtimin e Shpirtit të Shenjtë, derdhi këtë që ju tani shihni e dëgjoni.” (Vep. 2:32-33). Ky proklamim i parë apostolik mbetet themeli i besimit tonë dhe esenca e dëshmisë sonë.
Në këtë kohë paskale, lutem që lavdia e Krishtit të Kryqëzuar dhe ngjallur të shkëlqejë në kishat tona. Që shpirti i Shenjtë, që është zjarr dhe dritë, fllad jete dhe mirosje mëshire në rrugën e përjetësisë, t’i bashkojë para së gjithash në një dëshmi të përbashkët dhe të guximshme, për shëndetin e botës!
Natën e Pashkëve, në çastin për të skalitur mbi llambadhën e re paskale shifrat e Vitit 2000 dhe thirrur Zotin e historisë me fjalët e Liturgjisë, unë do ndihem pranë jush, Vëlla i dashur, dhe lutja ime do të ngrihet për ju e për Kishën Tuaj: “Krishtit, dje dhe sot, nisje dhe fund i gjithë gjërave, Alfa dhe Omega, Atij lavdia dhe fuqia, në shekujt pa mbarim. Nëpërmjet plagëve të tij, plagëve të tij të lavdishme, Krishti Zot na ruan dhe na mbron!”.
Në nisjen e vitit jubilar, Zoti më dha ngushëllimin e madh të hapja derën e shenjtë të Bazilikës së Shën Pavlit, sëbashku me të dërguarin e Fortlumturisë Tuaj, Mitropolitin Joan. E vlerësova praninë e tij, si një gjest vëllazërie të vërtetë, si një shenjë shprese për gjithë Kishën. I falem Zotit dhe duke përtërirë shprehjen e mirënjohjes sime më të thellë, ju rishpreh, Fortlumturi, gjithë përdëllimin tim vëllazëror.
Vatikan, 10 prill 2000
Joannes Paulus II