EmailFacebookKontakt

Të përjetojmë unitetin e besimit brenda bashkësisë së paqes

Fort i Lumtur, Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, vëlla fort dashur dhe i shtrenjtë më Krishtin Perëndi e bashkëmeshtar i Modestisë sonë, zoti Anastas, Fortlumturisë Tuaj të nderuar duke përqafuar vëllazërisht më Zotin, me kënaqësi i drejtohemi.

Kisha Orthodhokse e Shenjtë e të gjithë neve, çdo të Diel, por sidomos të Dielën e Pashkës, ku kremtojmë veçanërisht Ngjalljen jetëmbartëse të Zotit tonë Jisu Krisht, na fton me anën e himnit të njohur si kundërpërgjigje: “Duke parë Ngjalljen e Krishtit, i falemi të Shenjtit Perëndi, Jisuit, të vetmit të pamëkatshmit”. Dhe ne përgjigjemi “për gjithçka duke bekuar Zotin”.

Dhe me anën e këtij himni dhe të gjithë himnologjisë dhe me çdo predikim dhe me gjithë theologjinë, Kisha jonë e Shenjtë Orthodhokse shpall dhe përsërit, se besimi ynë nuk është një besim drejt një fuqie madhore pa emër, dhe bindjet tona nuk krijojnë ndonjë ideologji ose botëkuptim ose filozofi, por besimi ynë është besim drejt personit të Zotit tonë Jisu Krisht dhe bindjet tona formojnë pranimin e gjithçkaje që Ai zbuloi dhe na mësoi. Ndaj dhe jeta e krishterë nuk është formale në respektimin e rregullave të sjelljes morale, por marrëdhënie personale me Krishtin në dashuri e pajtim me të gjitha sa mbart Dashuria për Të. Dhe kjo marrëdhënie personale dashurie është ndyshimi dallues ndërmjet njeriut thjesht të moralshëm e të ndershëm dhe njeriut të moralshëm e të ndershëm me dashurinë e Krishtit.

Ndaj, ne adhurojmë Zotin tonë Jisu Krisht, Perëndinë e trupëzur, të pësuar e të varrosur dhe të ngjallur të tretën ditë sipas Shkrimeve dhe gëzohemi pa pushim, sidomos gjatë festës së shenjtë të Pashkës së krishterë, sepse u dashuruam dhe u bëmë një me Atë që na deshi ne dhe na ngjalli bashkërisht në jetë të përjetshme dhe të pavdekshme. Duke marrë pjesë ne mbretërinë e Perëndisë dhe duke e himnizuar Atë si Perëndi në jetë të jetëve, ne shpallim Ngjalljen e Tij dhe gëzimin tonë dhe i drejtohemi Fortlumturisë Suaj fort të dashur dhe shtrenjtë dhe të gjithë Hierarkëve të respektuar, klerit shpresëtar dhe popullit besimtar orthodhoks me këto Shkronja Paskale Uruese dhe Paqësore, që të përjetojmë unitetin e besimit brenda bashkësisë së paqes dhe të shumëfishojmë gëzimin tonë e Tuajin, duke i thënë njëri-tjetrit “Krishti u Ngjall!”.

Me këtë rast, duke i dërguar Fortlumturisë Suaj përqafime paskale, mbetemi me dashuri të thellë më Krishtin e Ngjallur dhe me nderim të veçantë.

Pashkë e Shenjtë 2000

Vëllai i dashur më Krishtin i Fortlumturisë Suaj të respektuar
Vartholomeu