Në 7 mars u mblodh Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Ruse, i cili pati në qendër të diskutimeve një sërë raportesh, ku spikatnin problemet që lidheshin me kremtimin e Jubileut të 2000-vjetorit të Krishtërimit, që do arrijnë kulmin me festimet e 13-20 gushtit. Gjithashtu, në Sinod u diskutua dhe për luftën në Çeçeni.
Sinodi i Shenjtë i Kishës Ruse vendosi kanonizimin e disa martirëve të periudhës komuniste, si dhe të disa murgjve të manastirit të Vaalamos (Finlandë), vrarë gjatë një okupimi suedez, në vitin 1578.
Sinodi emëroi episkopin Petri (Arihara), si primat të Kishës Autonome Orthodhokse të Japonisë, fronëzimi i të cilit do bëhet gjatë një vizite të Patrikut Aleksej.
Sinodi dëgjoi e aprovoi edhe raportet e komiteteve të ndryshme, duke u ndalur veçanërisht tek fakti se njohuritë shkencore për besimin e krishterë kanë filluar të jepen në një pjesë të sistemit arsimor rus.
Gjithashtu u dha edhe bekimi për hapjen e 15 manastireve të reja.