Me një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Shtypit e Këshillit Botëror të Kishave, më 3 mars 2000, mësohet se Komiteti Ekzekutiv i KBK ka apeluar pranë qeverisë së federatës Ruse, për të “dhënë garanci solide për sa u përket të drejtave të njeriut dhe nevojave humanitare të popullsive të prekura nga lufta e Çeçenisë”. Gjithashtu, është kërkuar shtimi dhe përmirësimi i ndihmave, hapja e korridoreve humanitare dhe lejimi i organizatave ndërkombëtare humanitare për të hyrë në vend. Deklarata kujton shkelje konkrete të të drejtave të njeriut dhe lut me këmbëngulje autoritetet, që të lejojnë organizmat kompetente të OKB-së e OSBE-së të jenë prezente në ato zona.
“Vazhdimi i kësaj lufte kompromenton shanset për të gjetur bazën për një paqe të qëndrueshme… dhe rrezikon të izolojë Rusinë nga vendet e tjera evropiane”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Komitetit Ekzekutiv.