EmailFacebookKontakt

Të kemi dashuri për mbarë botën

Nga Shën Joan Gojarti

Të kemi dashuri për mbarë botën

…Le të kujtojmë, se dashuria e dishepujve ndaj Mësuesit, ndërsa jetonte ende, kishte filluar të vyshkej nga frika e martirizimit. Kur ua kishte parathënë Dishepujve, që pësimet do të përfundonin me kryqëzimin, ata ngrinë nga frika. Madje njeri prej tyre, kur dëgjoi për rreziqet e vdekjes, nuk denjoi as ta ndiqte për në Jude.

Atëhere Thomai, i quajtur binjaku, u tha bashkëdishepujve: “Të shkojmë edhe ne, që të vdesim me të.” (Joani 11,16).

Mbi të gjitha, besonin se do të vdiste tashmë, por do të ngjallej. Në qoftë se nuk do ta shihnin të ngjallur çfarë do të thonin? Pësimet i dinte e gjithë bota. E kryqëzuan në mesditë, brenda në kryeqytet dhe në festën më të madhe, që askush të mos mungonte.

Ngjalljen veçse nuk e pa asnjë nga të tjerët.

Dhe kjo ishte një pengesë për të besuar. Si do të mund të njoftonin mbarë botën për Ngjalljen? Patën guximin që të jepnin lajmin e Ngjalljes edhe tek judenjtë vrasës, pra tek ata që e kryqëzuan dhe e varrosën. Nga vërtetësia e shkëlqimi i Ngjalljes edhe “kryqëzuesit” u kthyen në besimtarë. Ata vërtet nuk e kishin parë të ringjallur me sytë e ballit, por e panë me sytë e besimit.

Dëshironi veçse të shihni edhe tani mrekulli?

Do t’ju tregoj. Dhe madje më të mëdha nga të mëparshmet: “Jo për një të vdekur që ngjallet, as për një të verbër që sheh, por për mbarë botën që braktis errësirën”. Vërtetësia e Ngjalljes është se Krishti, edhe mbas vdekjes, tregoi kaq fuqi, saqë i bindi mjaft njerëz të lënë mënjanë çdo gjë të kësaj bote, madje edhe vetë jetën e tyre, duke u martirizuar për emrin e Tij.

“Nga kjo do të kuptojë bota, se ju jeni nxënësit e mi” – tha Shpëtimtari. Cila është kjo vallë, që do t’i dallojë nxënësit e Tij nga njerëzit e tjerë? Mos vallë fuqia që të largojnë demonët? Jo. Asnjë nga këto nuk zuri në gojë Krishti. I la të tëra këto mënjanë dhe theksoi: “Bota do t’ju kuptojë se jeni pasonjësit e mi, vetëm nëse keni dashuri për njëri-tjetrin. Dhe ne po të dëshirojmë me gjithë zemër që të jemi pasuesit e vërtetë të Krishtit, le të kemi dashuri për mbarë botën.

Përgatiti: A. Llukani