Nga shenjtorët e muajit
Llazar Bullgari
(23 prill)
U martirizua në moshën 28 vjeç (më 23.4.1802), në Pergam, në pjesën veriperëndimore të Azisë së Vogël, ku ishte bari. Ndërsa ishte duke fjetur, qeni i kopesë iu sul një gruaje myslimane që po kalonte. Ai u zgjua dhe e shpëtoi, vetëm se iu grisën rrobat. Gruaja u zemërua dhe shfryu duke i thënë të shoqit se e kishte përdhunuar – provë për këtë ishte rroba e grisur. Ai i egërsuar ngriti në këmbë të afermit e saj, të cilët i ofruan agait të vendit njëmijë grosh, nëse do të islamizonte ose do të varte Llazarin.
Ndërkaq shenjti ishte i burgosur që më 7 prill, megjithëse kishte dëshmitarë okularë të episodit, që provonin të kundërtën. Filluan dhe e torturonin, por ai nuk i bindej pushtetarit, që kishte marrë edhe dyzet delet e tij, i cili më 22 prill, urdhëroi njerëzit e tij, që kur të binte nata të gjente Bullgarin (vend nga duket, se kishte origjinën), ose mysliman ose të vdekur.
Ata, pasi u dehën, e plagosën me hekura të skuqur dhe e shtypën me një gur të madh. Por ai gjeti fuqinë qe të mbronte besimin e tij dhe të kërkonte ndihmë nga Krishti dhe Shën Gjergji, që kremtonte. Xhelatët i dogjën gjuhën dhe mbeti memec; i shtrënguan tëmthat me një litar ku ishin lidhur copa kockash dhe humbi njërin sy; e “kurorëzuan” me një rreth bakri të skuqur. Pas këtyre, iu duk se kishte vdekur, ndaj e lanë. Ndërkohë, mjeku grek i agait, duke shpërfillur çka ndodhte, e nxiste nga dritarja që të duronte, çfarëdo që t’i bënin. Martiri i ri rrëfeu se ç’kishte kaluar dhe fuqinë hyjnore që kishte ndjerë dhe iu lut që të ndërmjetësonte që ta vrisnin dhe jo ta lironin!
Kur në mëngjes Agai e pa se ishte ende gjallë, iu vërsul torturuesve, të cilët i treguan çdo gjë. Edhe ai i pa plagët, por, megjithatë e dënoi, ndërsa Llazari po predikonte vazhdimisht Jisuin. Ai u vetvar, sepse myslimanët donin të detyronin të krishterët që ta varnin, se vetë ata kishin frikë.
Lipsani i tij gjithnjë drejtohej nga dielli, edhe pse xhelatët e kthenin nga ana e kundërt. Dikush nga ata u xhindos dhe i nguli thikën trupit, që ishte kufomë prej 33 orësh dhe rrodhi gjak, që shëroi një të sëmurë të pashërueshëm. Më vonë, kur rastësisht i hapën varrin, lipsani lëshoi erë të këndshme.
At Justini