Me rastin e festave të 7 – 8 Marsit, në mjediset e Akademisë Teologjike, në Shën Vlash të Durrësit, u zhvillua konkursi i Fjalës Artistike me krijimet e studentëve të saj.
Studentët qenë përgatitur denjësisht dhe me nivel për të konkuruar. Pjesëmarrja e një numri të madh të rinjsh në konkurim, tregoi se në këtë shkollë ka mjaft studentë me prirje.
Krijimet qenë të goditura, por ndër to mund të veçonim, poezinë e Kristina Sotës të titulluar “Kur trokas”, atë të Robert Xhaxhos “Kthesa”, poezitë e Andonia Kurtit, Parashqevi Ziut, Nikolla Davidhit etj.
Në konkurs, ndërmjet të tjerave, kishte edhe grimca humoristike të krijuara nga Leonidha Todri.
Gjithashtu, mbresa të veçanta la tek të pranishmit edhe parodia e vajzave të vitit të tretë, e titulluar “Drejtorët”. Nëpër krijimet e studentëve pasqyrohej bota e tyre shpirtërore, si dhe talenti në lëmin e poezisë.
Pas konkurimit, juria nderoi me çmimin e parë krijimin e Aleksandër Zariut, me titull: “Ai nuk është vegim”. Në fund u ndanë edhe disa çmime simbolike për fituesit.
Koresp. i “Ngjalljes”