EmailFacebookKontakt

Ndërruan jetë tragjikisht At Sotir Xhaferri dhe priftëresha Marjana

Në datën 4 prill 2000, ndërroi jetë në rrethana tepër tragjike At Sotir Xhaferri, Prift i Kishës “Ungjillizimi i Perëndilindëses”, të Tiranës dhe bashkëshortja e tij, znj. Marjana. Në aksidentin që u mori jetën prindërve, mbetën të plagosur edhe dy fëmijët e tyre, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje tepër të rëndë.

At Sotiri kishte lindur në Kamenicë të Korçës, më 22.5.1964. Ai kishte mbaruar shkollën e mesme për pikturë dhe më pas kishte punuar si punonjës kulture në fshatin e tij të lindjes. Në vitet e fëmijërisë e rinisë së tij iu privua edukata fetare, por megjithatë, ai e kërkoi Krishtin me durim e këmbëngulje. E njohu dhe e besoi Atë si Perëndi dhe shpëtimtarin e tij. I shërbeu Kishës dhe Perëndia e nderoi duke i dhënë detyra me rëndësi.

Ishte vetëm 28 vjeç, kur në gusht të 1992 u dorëzua në dhiak. Kishte ardhur nga të parët në Akademinë Teologjike, të cilën e mbaroi në vitin 1994, ku dallohej nga zelli, aftësitë dhe fryma e bashkëpunimit. Edhe pas kësaj ai ishte studioz dhe korrekt në detyrë. Për të gjitha këto, në tetor të vitit 1995, u dorëzua në prift, mision të cilin e kreu me sukses, përkushtim e devotshmëri.

At Sotiri ishte i pajisur me mjaft dhunti. Kishte konceptim te shpejtë për të përballuar situatat, vendosmëri dhe përgjegjësi. Me shprestarinë dhe zërin melodik, me sjelljen e gadishmërinë e tij fitoi simpatinë e besimtarëve. Ai përfaqësoi Kishën Orthodhokse edhe në media me anën e emisioneve televizive, si dhe mjaft misione të tjera që iu ngarkuan.

Gjatë gjithë kësaj kohe ai shërbeu me devocion në Kishën “Ungjillëzimi i Perëndilindëses”, në Tiranë, ku u dallua dhe si pjesëtar i Korit Bizantin.

Në çdo hap të kësaj veprimtarie të dendur e të frytshme ai kishte pranë dashurinë dhe mbështetjen e përkushtuar të bashkëshortes së tij, bashkë me të cilën edukuan dy fëmijë shembullorë. Znj. Marjana, e thjeshtë dhe e mbushur me mirësi, dallohej dhe për kontributin që jepte në Grupin e grave orthodhokse të Tiranës, për lehtësimin e halleve të njerëzve më të pafavorizuar nga jeta.

Në fjalën në ceremoninë e përmotshme, që u krye nga Kryepiskopi Anastas, Hirësia e Tij Ignati, Hirësia e Tij Joani etj., Fortlumturia e tij theksoi ndër të tjera:

“E ndërsa të gjithë ne shpresonim që për shumë dekada të tjera do të punonte e do të ndihmonte për zhvillimin e Kishës sonë, Perëndia e ftoi pranë Tij… Mendja jonë qëndron në kufijtë e vdekjes. Vetëm me lutje dhe dashuri e me fjalën e Perëndisë vjen ngushëllimi. Na ngushëllon ajo që dëgjuam para pak në pjesën Ungjillore. Krishti na vërteton se ai që dëgjon e beson në Të, ka jetën e përjetshme. Edhe Sotiri e Mariana qenë njerëz që besonin me gjithë zemrën e tyre…

Në mënyrë të veçantë desha t’u drejtohem prindërve të tyre, që Perëndia t’ua shërojë me Hirin e Tij, këtë plagë të madhe që iu krijua në shpirt.

Ne do të vazhdojmë që në çdo Liturgji Hyjnore t’i kujtojmë të dashurit tanë dhe do të jemi me një mënyrë tjetër pranë tyre dhe ata pranë nesh….”

Humbja e tyre ishte shumë e rëndë jo vetë për familjen, por edhe për të gjithë ata që i njihnin e punuan bashkë më ta, si dhe për të tërë Komunitetin Orthodhoks të Shqipërisë.

I përjetshëm kujtimi!

Priftëresha Marjana (djathtas), dallohej gjithmonë për kujdesin për më të pafavorizuarit nga jeta. Në foto: Me grupin e grave orthodhokse, në Azilin e pleqve të Tiranës.