Në datën 27 mars 2000, ndërroi jetë z. Sotir Kanxheri, Kryedhiak i Kryepiskopatës së Hirshme, të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Z. Kanxheri lindi në Korçë, më 10 nëntor 1922 dhe u dallua si njeri i përkushtuar ndaj besimit orthodhoks qysh në vitet e fëmijërisë. U lidh me Krishtin dhe e deshi shumë Kishën.
Nga viti 1932-1935 ndoqi Liceun francez të Korçës dhe më pas mbaroi Seminarin orthodhoks “Apostull Pavli”, në Tiranë, ku paralelisht kreu edhe gjimnazin e shtetit. Pasuan vitet e vështira të luftës. Sotiri, ndonëse ishte i ri në moshë, zemrën e shpirtin e tij ia kishte drejtuar Krishtit dhe e ndoqi atë bindshëm, duke ecur në rrugën e Kishës. Pas shkollës u dërgua si ndihmës-llogaritar i Manastirit të Shën Naumit, pranë Pogradecit dhe më pas u caktua si sekretar-llogaritar i Kishës së Tiranës.
Përkushtimin e tij e tregoi me trimëri, që kur vendosi në vitin 1950 të marrë rrugën e priftërisë dhe u hirotonis Dhiak. Pas kësaj, punoi në detyra financiare, deri në shef llogarie i Kryesisë së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Më 1965 u gradua në Kryedhiakon. Më pas, iu desh të kalonte shumë prova të vështira, në një periudhë kur ishte shumë e lehtë të ngrinin një akuzë për të njollosur njerëz të ndershëm. Më pas, punoi në fermën “Gjergj Dimitrov”, ku edhe doli në pension.
Me ardhjen e demokracisë pati gëzimin të merrte pjesë në rihapjen e Kishës “Ungjillëzimi i Perëndilindëses”, në Tiranë, ku edhe shërbeu me devocion deri para pak muajsh, me gjithë gjendjen jo të mirë shëndetësore.
Si një dëshmitar i drejtpërdrejtë, Z. Sotir Kanxheri dha në këto vite një kontribut të çmuar në njohjen e mbi 50 vjetëve histori të Kishës sonë, por mjaft e rëndësishme ishte përvoja e tij edhe për ringritjen e sistemit financiar dhe të administrimit të pasurive të Kishës. Por sidomos, në mendjen e çdo besimtari do të mbetet i paharruar zëri i tij melodioz gjatë Shërbesave të Shenjta, me të cilin i drejtonte gjithë besimtarët në lutje.
Shërbesa e përmortshme në Kishën e Ungjillëzimit, u drejtua nga Kryepiskopi Anastas, që e pati Kryedhiakon Sotirin bashkëpunëtor të vyer në gjithë këto vite të ringjalljes së Kishës sonë.
Në fjalën përkujtimore, Fortlumturia e Tij do të theksonte ndër të tjera, se: “Sotiri ishte i pari që qëndroi pranë, brenda Kishës dhe me atë fuqi e talent që pati, luftoi për ringritjen e saj. Ai ishte i pajisur me shumë dhunti. Sotiri ishte i zgjuar, largpamës, me takt, konseguent, dinjitoz, i drejtë në gjykimet e tij, i ndershëm në punën e tij… Kisha këmbëngulur madje, që të hirotonisej prift, më pas të bëhej Ikonom e Protopresviter, por ai me përulësi dhe me takt më kërkoi që të mbetej pranë meje si Kryedhjakon…
Ne e dimë se Sotiri ynë i shtrenjtë ka kaluar nga vdekja tashmë në jetë me Krishtin, se ai tani ka jetë të përjetshme. Duat’i shprehim ngushëllimet tona, bashkëshortes së tij të zgjedhur Naunka, që edhe ajo me besim, durim, trimëri e takt i ka qëndruar pranë, si dhe fëmijëve të tij….
Gjithashtu, uroj të gjithë klerikët e rinj, që Sotiri i ka ndjekur dhe i ka ndihmuar me shumë dashuri në hapat e tyre të para, që edhe ata të vazhdojnë veprën e tij me besim, me trimëri, durim e përkushtim absolut te Krishti. Perëndia le të na falë edhe njerëz të tjerë si Sotiri, që do t’i shërbejnë Atij e do ta duan deri në fund të jetës së tyre.
I përjetshëm kujtimi yt, fort i lumur vëlla Sotir!”