Fier
Hirotoni në të kremten e Faljes së Kryqit
Të dielën, më 2 prill, besimtarë të shumtë nga Fieri dhe fshatrat përreth mbushën Kishën e Shën Gjergjit, për të marrë pjesë me gëzim në festën e bukur të Faljes së Kryqit dhe për të ndjekur me kurreshtje e vëmendje të veçantë dorëzimin në prift të dhiakut Nikolla Mandro.
Liturgjia Hyjnore u krye nga Imzot Ignati, Mitropolit i Beratit, Kaninës, Vlorës dhe i gjithë Myzeqesë, i pritur me ngrohtësi të madhe, nga klerikët, At Ilia Bita dhe nga dhiakonët Nikolla Mandro e Nikolla Nushi.
Të gjithë ndoqën me shumë vëmendje, kur Hirësia e Tij gjatë predikimit, ndër të tjera theksonte me zërin e Tij të ëmbël e të kumbueshëm se: “…Kryqi është roja e tërë gjithësisë, bukuri e Kishës, fuqia e qeverisë kishtare, baza e besimtarëve, lavdia e engjëjve dhe plaga e demonëve…”
Shumë solemn ishte çasti, kur Imzot Ignati, para derës së bukur, i drejtoi dhiakut – kandidat për prift, fjalët e dala nga zemra e Tij bujare “…Prifti është një njeri i thjeshtë, të cilin e zgjedh dhe e pastron Perëndia, për ta bërë të denjë që t’u rrijë pranë njerëzve dhe t’i afrojë besimtarët, për t’i ruajtur nga ujqërit e pabesë. Ai kur meshon, nderon Perëndinë, ngazëllon engjëjt, ndërton Kishën, dhuron shëndet e jetë në të gjallët, prehje në të fjeturit dhe bëhet edhe vetë pjesëtar në të gjitha këto të mira. Priftëria kryhet në tokë, por ka pjesë në urdhërat qiellorë”. Mandej, Ai e këshillon të jetë udhëheqës i shpresëtarëve, duke pasur kryqin edhe në krah edhe në shpirt.
Shumë prekëse ishin fjalët e falenderimit dhe të premtimeve të bëra nga prifti i ri, për t’ia shpërblyer Zotit Perëndi nderin që po i bëhet, duke u shërbyer të krishterëve me përkushtim, urtësi, mirësi, durim, takt dhe besim të palëkundur.
Mjaft natyrshëm, Hirësia e Tij u drejtoi të pranishmëve pyetjen tradicionale: “I denjë?” dhe ata njëzëri iu përgjigjën: “I denjë”. Dora e Imzot Ignatit gjatë afro dy vjetëve ka hirotonisur dy dhiakonë në priftërinj, duke ngulmuar të zgjedhë njerëz të devotshëm, mbasi të ketë marrë lajmin e Zotit, për të forcuar kështu priftërinë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Sipas zakonit të Kishës sonë, At Nikolla i sapohirotonisur, u ndau naforën shpresëtarëve, ndërsa priftëresha i ëmbëlsoi të pranishmit me llokume e karamele, për t’i uruar atij suksese në detyrën e re dhe forcë në luftën shpirtërore. Ndërkohë, Hirësia e Tij mbante kryqin e shenjtë dhe dhuronte lule.
Pas mbarimit të Liturgjisë, Imzot Ignati bashkë me shumë besimtarë, i shoqëruar nga klerikët dhe persona të tjerë, vizituan mjediset e bukura të Katedrales së re të Shën Gjergjit, në qendër të Fierit, që është në fazën e fundit të ndërtimeve. Hirësia e Tij porositi të shtojnë përpjekjet për ta mbaruar sa më shpejt me sa më shumë cilësi dhe për ta bërë gati, ndonëse të papërfunduar plotësisht, të presë krahëhapur festën e madhe të Ngjalljes së Krishtit si dhe atë të Shën Gjergjit.
Ilia, Zaka