Në janar të këtij viti filloi celebrimi i Shërbesave të Shenjta në Katedralen e re të Moskës “Krishti Shpëtimtar”. Kisha e re është ndërtuar identike me atë që u shkatërrua me dinamit në vitin 1931 nga bollshevikët.
Në Liturgjinë e parë Hyjnore në të, mori pjesë i gjithë Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Ruse, presidenti ad interim Vladimir Putin dhe personalite të tjera të larta.
Kisha e Krishtit Shpëtimtar u ndërtua në shekullin e kaluar në nderim të ushtarëve rusë të vrarë në luftë me ushtrinë e Napoleonit, më 1812. Punimet për ndërtimin e saj filluan në vitin 1839 dhe mbaruan më 1883. Kisha ishte më e madhja e vendit dhe nxinte deri 10 mijë besimtarë.
Siç thamë, më 1931 ajo u shkatërrua plotësisht me urdhër të Stalinit, për t’ia lënë vendin një pallati gjigand të Sovjetëve, i cili do të kishte sipër një statujë madhështore të Leninit. Por ky projekt nuk u realizua, për shkak të Luftës së dytë Botërore dhe më pas mbi gërmadhat u ngrit vetëm një pishinë e hapur…
Ideja për rikonstruksionin e Katedrales “Krishti Shpëtimtar”, u shfaq më 1988, gjatë kremtimeve për mijëvjeçarin e krishtërimit në Rusi. Punimet nisën në vitin 1995 dhe përfunduan në kohë rekord, në shtator 1997, nën nxitjen energjike të kryetarit të Bashkisë së Moskës Juri Lushkov, i cili e ndoqi personalisht realizimin e projektit. Kostoja e ndërtimeve, që ishte mjaft e lartë, u financua nga besimtarët dhe firma të fuqishme ruse dhe arriti në rreth 500 milionë dollarë.
Historia e kësaj kishe të kujton disi atë të Katedrales së Ungjillëzimit të Tiranës, që u shkatërrua nga komunistët, me pretekstin e ndërtimit të hotel Tiranës. Por… në kryeqytetin tonë jo vetëm nuk ndihmohet kisha orthodhokse për rindërtimin e katedrales, por ka edhe qarqe që e luftojnë me egërsi të drejtën legjitime të besimtarëve orthodhoksë të Shqipërisë. Siç duket, tek ne sistemi ateist ka lënë rrënjë më të thella…