EmailFacebookKontakt

Ndihmë për kishën e Labovës së Kryqit

Kisha “Fjetja e Shën Marisë”, e Labovës së Kryqit të rrethit Gjirokastër, është ndërtuar në vitin 554 nga perandori Justinian.

Duke qenë e një lashtësie të tillë, ajo ka nevojë të madhe për një rikonstruksion të përgjithshëm. Përkëtë një ndihmë të konsiderueshme ka dhënë edhe bashkëfshataria jonë Eftimi Gaqe Petridhi, me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila brenda dy vjetësh ka vizituar dy herë fshatin. Nga malli dhe dashuria që ka për të dhe për kishën, ajo ka investuar rreth 24.000 US, nga të cilat 19.000 nëpërmjet Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës dhe 5.000 US nëpërmjet një specialisti privat.

Me këto investime për kishën, u kryen këto punime: U bë kthimi i gjithë çatisë së kishës, duke filluar që nga kupola kryesore dhe deri në fund. Pjesa e përparme e kishës, që është thuajse gjysma e çatisë së saj, e ndërtuar me dru, iu ndërrua e gjithë lënda e drurit me lëndë të re.

U bënë tri porta të reja, njëra nga të cilat me gjithë muraturë, si dhe shkallët dhe korridoret komunikuese të tyre, rreth 100 m. Gjithashtu u përforcua muri rrethues i kishës prej 150 m dhe u meremetuan gjithë pezulet rreth kishës. U punua në pjesën fundore të mureve të kishës, për të kryer izolim nga lagështia. Të gjitha dritaret u bënë të reja.

Brenda në kishë kati i dytë i saj, i tëri me lëndë druri, u bë i gjithë i ri, si dyshemeja ashtu edhe tavani, rreth 50 m katror, si dhe shkallët komunikuese. U bënë instalime të reja elektrike etj.

Për të gjitha këto punime populli i fshatit tonë i është mirënjohës bashkëfshatares sonë dhe e falenderon atë nga zemra dhe i lutet Zotit që t’i japë shëndet dhe jetë të gjatë dhe të lumtur. Shpresojmë që ajo të jetë shembull edhe për të tjerë dhurues vendas.

Gligor Noti
Labovë e Kryqit