U lind në ishullin e Kretës rreth viteve 1770-1775, prej prindërve të drejtë dhe fisnikë. Që i vogël ishte i padjallëzuar, i dlirë, tepër i mençur dhe me një bukuri mahnitëse. Ushtronte profesionin e rrobaqepësit në punishten e vet, ku banorët muhamedanë vinin, se u pëlqente shoqëria e tij.
Por, disa shpirtkëqinj ndjenë zili për paraqitjen e tij, thjeshtësinë dhe urtësinë dhe iu vunë për ta islamizuar. Kështu, nxitën një djalosh turk për të shpifur se gjoja ai kishte abuzuar ndaj tij… Menjëherë e paditën tek gjykatësi i sheriatit, duke gënjyer se ai kishte marrë guximin dhe kishte përdhunuar një turk të mitur! Ai e kundërshtoi bindshëm akuzën, por horrat ngulmonin të ngritur në këmbë, duke thirrur, që ose të ndërronte besë ose të vdiste. Të njëjtën gjë i propozoi edhe gjykatësi, por vendosmëria e tij i mbylli gojën. Urdhëroi dhe e rrahën me shkopinj dhe e burgosën.
Në një hetim të dytë, i propozuan ose vdekje të dhimbshme dhe poshtëruese, ose ndere dhe dhurata. Nga qëndrimi i tij varej, se cilën nga të dyja do të zgjidhte. I thanë që t’i vinte keq rininë e tij. Ai thirri se nuk e shiste besimin që kishte! Dhe u dënua. Duke e çuar për ekzekutim jashtë qytetit, të krishterëve që takonte, ashtu si dhe neomartirë të tjerë, u thoshte: “Më ndjeni, o vëllezër, dhe Perëndia ju ndjeftë ju!”. Kërkoi leje dhe shkoi tek i ati, Dhimitër, që e ndiqte duke vajtuar. I puthi këmbët dhe duart, i mori uratën dhe e ngushëlloi duke i thënë, se po e vrisnin padrejtësisht. Pastaj iu drejtua xhelatëve, duke u thënë që ta varnin. Natën rojet myslimane të portës së qytetit panë një dritë qiellore tek lipsani i varur dhe patën burrërinë ta përhapin këtë gjë.
Jehona u përhap shpejt kudo, përderisa e përfshiu Shën Nikodhimi (14 qershor) në Martirologjin e Ri, që qarkulloi në vitin 1799, pra vetëm gjashtë vjet pas martirizimit të tij (1793). Djali që mashtroi gjeti një vdekje të frikshme në vitin 1821.
At J.