Mos vrit – thotë Perëndia. Dhe shumica dërrmuese e njerëzve e zbatojnë këtë ligj të palëkundshëm. Por, kur mëson se, në gjithë Shqipërinë gati 20 për qind e shtatëzanive përfundojnë në abort, të kapërthen shqetësimi dhe dyshimi për saktësinë e asaj që sapo thamë. Madje më keq akoma, sepse mbase edhe shifrat e mësipërme janë të rreme, pasi vetëm në Tiranë deklarohet se abortet kapërcejnë lindjet: po në qytetet e tjera. Në një kronikë televizive afirmohej se në kryeqytet bëhen rreth 100 aborte në ditë, legale dhe ilegale. Një olokaust i vërtet qeniesh të pafajshme dhe të pambrojtura!
Kisha na mëson, se që nga çasti i konceptimit, si krijesë e Perëndisë, edhe embrioni duhet konsideruar si një qenie njerëzore, me të njëjtat të drejta. Kështu, prekja e tij dhe aq më keq – zhdukja, është shkelje e kësaj urdhërese të shenjtë.
Po për shtetin? Ndërsa dënohet rreptë ai që kryen një vrasje të një qenieje të lindur, aspekti ligjor që mbulon fatin e qenieve njerëzore që ndodhen ende në barkun e nënës është skandaloz dhe amoral. Ja çfarë thotë ligji: “Aborti është i lejuar brenda kushteve mjekësore… brenda 12 javëve të para të shtatzanisë…” dhe vijon me rregullat mjekësore për kryerjen e tij. E vetmja “pengesë”, është një javë kohë vonesë, për t’u konsultuar me sociologun dhe oferta – “perspektivë”, që, nëse lind fëmija, të përfundojë në një bonjotrof. Kështu shteti lan duart si Ponc Pilati dhe e çon në mënyrë të sigurt nënën dhe fëmijën drejt Golgothasë së Abortit. Duke paguar 500 lekë… (vrasja e embrionit vret edhe shpirtin e nënës që aborton).
Gjithashtu, nuk duhet të harrohet pa përmendur edhe fakti, se po kaq skandaloze ishte edhe mënyra se si u aprovua ligji në fuqi për abortin, një nga më tolerantët edhe në raport me vendet liberale, ku të paktën nënës nuk i ofrohet vetëm jetimorja për krijesën e saj të pafajshme, por edhe mbështetje ekonomike e sociale. Ky aprovim u bë gati në mënyrë klandestine, pa asnjë debat publik paraprak, pa pasur mundësi që komunitetet fetare dhe opinioni që mendonte ndryshe të thoshte fjalën e tij. Në se i drejtohemi përvojës perëndimore, ligjet për abortin kanë kaluar pas një lufte tepër të rreptë dhe pas referendumeve popullore dhe sidoqoftë, me më shumë garanci e kërkesa se ligji ynë (ka vende si Irlanda etj., ku ende ndalohet). Ndërsa, po të shohim përvojën botërore, atëherë vendet ku aborti ndalohet e madje, quhet krim janë shumë më tepër…
Duke u kthyer tek ligji shqiptar, duhet thënë se edhe “pengesat” minimale që ai shtron janë lehtësisht të kapërcyeshme: vetëm në Tiranë janë mbi 20 klinika private gjinekologjike me leje (dhe kushedi sa mjedise pa liçencë), ku kundrejt 5000 mijë lekëve dhe shpesh në kushte hixhienike të papranueshme, skrupujt lihen plotësisht në harresë.
Dhe problemi nuk është vetëm, se kështu, në mënyrë të ndërgjegjshme apo jo, mijëra çifte të reja bëhen vrasës të krijesave të tyre, me pasoja të pallogaritshme psikologjike e shëndetësore (vdekja e nënave që abortojnë, pamundësia për të lindur përsëri etj.).
Lehtësia me të cilën janë aprovuar në dhjetë vjetët e fundit ligje superliberale apo kur shteti toleron për abortin, bixhozin, pornografinë etj., këto i japin brezit të ri mesazhin e gabuar, se janë të lirë të bëjnë çtë dojë. Kur për shtetin vlerat morale nuk kanë më vend në ligjet që ai nxjerr, atëherë, pse çuditemi për degjenerimin, drogën, prostitucionin, korrupsionin, vrasjet?
Ponc Pilati, Herodi, Neroni… ishin të gjithë udhëheqës të pandërgjegjshëm, që u dhanë shembullin e keq popujve të tyre. Mos kujtojmë se ata i takojnë vetëm historisë. Edhe një shtet që lejon abortin, ku ndryshon nga Herodi?!
Sa fosh të abortuara do të kishin qenë shkencëtarë, artistë, shenjtorë…
Th. Dh.