Të indinjuar nga një emision në TV Shijak, ne besimtarët e qytetit të Korçës, i drejtohemi me një protestë të hapur këtij televizioni si edhe mbarë opinionit shqiptar.
Ne si qytetarë të Korçës, të këtij qyteti me vlera të larta patriotike dhe fetare, sot, njëzëri, hedhim poshtë me forcë dhe me indinjatë të gjitha shpifjet e sharjet në adresë të klerikëve të lartë të Kishës sonë, klerikë të nderuar dhe të respektuar, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, si dhe ndaj komunitetit tonë orthodhoks, dhe në veçanti, ndaj qytetarëve patriotë dhe fetarë të Korçës.
Në një kohë kur uniteti dhe mirëkuptimi i ndërsjelltë fetar, për të cilin mund të themi me plot gojën, se është i vetmi që i ka rezistuar kohërave dhe ngjarjeve të ndryshme, sot po sulmohet dhe pasi, zotërinjtë Abdi Baleta dhe Nikolla Marku, me papërgjegjshmëri e intolerancë, duan të hedhin baltë mbi Komunitetin Orthodhoks shqiptar dhe kërkojnë të luajnë me ndjenjat e larta të patriotizmit dhe të fetarizmit të këtij komuniteti. I kujtojmë zotit Baleta, se feja nuk është vegël e politikanëve grindavecë e të paekuilibruar, të cilët luftën politike kërkojnë ta shtrijnë edhe në atë të fesë. Fatet e komunitetit tonë nuk janë në dorën e as gjykimin e z. Baleta dhe as të “klerikut” të vetëshpallur si i tillë, Nikolla Markut. I kujtojmë zotit Baleta, se ka ikur koha kur pashallarët turkoshakë e antishqiptarë të tjerë, i konsideronin besimtarët orthodhoksë të Shqipërisë si grekë. Mos ndoshta ne duhet t’i konsiderojmë besimtarët myslimanë si turq, dhe ata katolikë si italianë? Pikërisht këtu na fton z, Baleta që të hyjmë.
Fyerja dhe papërgjegjshmëria arrin kulmin në shprehjen e z. Nikolla, i cili pa turp thotë, se do të ishte një krim i vërtetë, nëse do t’i jepej një vend ndërtimi komunitetit orthodhoks të Tiranës, për të ndërtuar katedralen, kaq të dëshiruar prej tyre, që nga dita e lirisë së besimit.
Gjithashtu, një përgjegjësi të madhe mbajnë edhe drejtuesit e TV Shijak, të cilët, shpresojmë nga padija, servirin si “prift” orthodhoks, një njeri, i cili është vetëshpallur i tillë, i përjashtuar nga seminari orthodhoks për vjedhje dhe që për të mbuluar arsyen e vërtetë të përjashtimit luan kartën e patriotizmit. Do të ishte njësoj sikur të vinte dikush në këtë televizion e të thoshte, se jam kryeministri, apo kryetari i njërës prej partive kryesore.
Arritjet dhe sukseset e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, këto dhjetë vitet e demokracisë, janë të papërshkrueshme, saqë dhe shumë personalitete botërore i kanë cilësuar si “mrekullira”, por duket se janë pikërisht këto që i shqetësojnë së tepërmi këta pseudo-patriotë, gjersa nuk njohin gjuhë tjetër përveç asaj të shpifjeve dhe të sharjeve.
Shpresojmë, që pas këtyre emisioneve të mos fshihet një përpjekje keqdashëse, si ndaj komunitetit orthodhoks, ashtu edhe ndaj vlerave patriotike dhe fetare të qytetarëve të qytetit të Korçës, dhe do të donim që si stacioni televiziv TV Shijak, ashtu dhe stacionet e tjera serioze, të mos bëhen tribunë disinformacioni.
Theksojmë edhe njëherë, se jemi shumë të indinjuar karshi veprimeve të tilla dhe se durimi e mirëkuptimi i treguar nga komuniteti dhe qytetaria jonë nuk janë të pafundëm dhe as nuk jemi indiferent ndaj çështjeve kaq delikate si këto.
Klerikët tanë të nderuar nuk kanë nevojë për ndonjë mbrojtje, sepse vetë puna dhe përkushtimi i tyre ndaj vendit dhe fesë flet qartë, por e ngremë zërin për të ndaluar veprime që mund të sillnin pasoja të papëlqyeshme për të gjithë.
E mbyllim këtë protestë me një apel ndaj të gjithë qytetarëve e besimtarëve të të gjitha besimeve, që të mos bien pre e nxitjeve për përçarje dhe destabilizim, që kërkojnë të përhapin njerëz të tillë, të cilët mund të flasin në emër të çdokujt, por jo në atë të kombit dhe të vlerave të tij.
Nga besimtarët orthodhoksë të Mitropolisë të Korçës dhe opinioni mbarëqytetar korçar
Korçë, 4.2.2000