Pak histori
Për t’i shpëtuar presionit të egër për të ndryshuar fenë, në kohën e xhonturqve familja Zografi erdhi nga Qesarati i Gjirokastrës në Myzeqe. Aty u ngulën në fshatin Gore, dhe më pas u zhvendosën në Bubullimë e përfundimisht në Çukas. Në këtë kohë, për nder të një psalti nga familja e tyre me emrin Xoxe, vendosën përfundimisht të mbajnë këtë mbiemër.
Klerikët e fisit Xoxa
I pari nga ky trung është igumeni i Manastirit të Shën Naumit, At Stefan Jorgji Xoxe. Ai u largua nga fshati shumë i vogël, i frikësuar se humbi disa dhen të një beu. Disa çobenë e morën me vete në Maqedoni.
Aty martohet, por shumë shpejt mbetet, me tre fëmijë të vegjël, dy vajza dhe një djalë. Me kërkesë të fshatit Shën Naum, u vesh prift dhe shërbeu gati për 30 vjet si klerik, deri edhe si igumen i Manastirit.
Sipas bashkëkohësve, At Stefani dallohej për një zë të veçantë dhe shërbesë shembullore. Kjo kishte bërë që ai të mos ta ndjente plagën e pashërueshme të largësisë nga vendlindja, sepse prania e besimtarëve ia ngrohte zemrën dhe ia largonte mërzitjen.
Çukasi – traditë e disa brezave klerikësh orthodhoksë
Dihet se zona e Myzeqesë, ku mbeti martir i diturisë Shën Kozmai i madh, është e përmendur dhe për besimin fetar e arsimdashje. Dëshmi është prania e shumë kishave e manastireve.
Një ndër këto treva është dhe fshati Çukas, i cili mund të përmendet për traditën e disa brezave klerikësh nga e njëjta strehë, siç ishte familja Xoxe.
At Joani lindur më 1877, i biri i Jorgjit, që ka shërbyer si klerik në Çukas, në kishat “Profit Ilia” dhe “Shën Mihaili” të Bubullimës, për rreth 40 vjet.
Atë e karakterizonte jo vetëm thjeshtësia dhe dashuria për besimtarët, por dhe fjala e urtë e mençur që përcillte tek bashkëfshatarët, për t’i dhënë zgjidhje sa të drejtë e të pastër e të sinqertë, ndaj At Joani ishte i kudondodhur dhe pse vitet i rëndonin mbi supe.
Në vitin 1937 At Joani prehet, duke i lënë stafetën të birit, Ilias, i cili kishte lindur në vitin 1910. Ndonëse me pak vite shkolle, ai ishte i kompletuar me kulturën e kohës. Autodidakt, me vullnet lexonte literaturë laike dhe artistike, për të pasuruar diturinë e vet, gjë që reflektonte dhe në shërbesat fetare. Ai ka shërbyer si klerik në Çukas, në kishën “Profit Ilia” – dhe në “Shën Dhimitri”, në Berat.
Bashkëkohësit e tij tregojnë se në kohën e regjimit ateist komunist At Ilian e sulmonin shumë, duke arritur ta çonin të punonte në kanal si dënim, për t’ia frenuar pasionin e predikimit në fshat. “Këto tortura, shpirtërore dhe strese, – thotë i biri, At Vangjeli, – ai i kalonte duke thënë: “Do ta kalosh, bir bashkë me ndihmën e Zotit. Lavdi Perëndisë! Një ditë do të kthehet; do të jetë midis nesh; feja është jetë, nder.”
At Ilia vdiq një vit pas persekutimit shpirtëror, me ëndrrën e shpresës tek i madhi Zot se i biri i tij do të rivishte rason e disa brezave.
At Vangel Xoxe, prifti i parë i Beratit pas rilejimit të fesë, ishte bërë dhiak në vitet 50-të.
Në vitin 1954, megjithëse klerik, e thirrën ushtar, që ta largonin nga rruga që kishte nisur. Edhe më pas vazhduan presionet për të mos e veshur më rrobën e klerikut.
E zhveshën në kohën e furtunës së ateizmit dhe për afro 30 vjet ishte punëtor në NILP, ku njerëzit e respektonin, duke jetuar heshturazi dhe mbështetjen e besimtarëve.
U rivesh më 1990 dhe për veprimtarinë e tij ka marrë dy tituj nderi, të Ikonomit dhe Stavroforit. Ai u nderua me një kryq nga Patriarku Ekumenik, gjatë vizitës në qytetin me tradita të Beratit.
Sotir Mishaxhi