EmailFacebookKontakt

Bisedat e mia me Athenagora I

(marrë nga “Oriente Cristiano”, janar – qershor 1973, 1-2.)

… Argument i të cilit i kthehej shpesh, pothuaj gjithmonë, në bisedat që ka patur me mua, veç temës së bashkimit të krishterë, ishte Shqipëria. I pëlqente të fliste gjatë për historinë e Shqipërisë, për Kishën Shqiptare (padyshim Ortodokse), për gjendjen aktuale të Shqipërisë.

E njihte shumë mirë gjendjen e prapambetur të Shqipërisë së vjetër, prandaj kishte mirëkuptim për reaksionin që ndodhi mbas revolucionit …Detyra juaj tani është të bashkëpunoni për rindërtimin e një Shqipërie të re, që të ketë dinjitetin e saj. Bëni gabim, që të mos e ndihmoni për rindërtimin. Mos u trembni, nëse drejtuesit e sotëm janë komunistë, materialistë, ateistë. Ju thojeni hapur që jeni të krishterë dhe që dëshironi një shoqëri të udhëhequr nga dashuria. Rini të qetë, se komunizmi do të kalojë, por krishterimi do të mbetet. Nganjëherë, Zoti shfrytëzon edhe djallin për të arritur në një pikë që djalli nuk e njeh, por që Zoti e di. Nëse ju punoni për të mirën e kombit dhe për ngritjen e popullit, do ta shihni se mund të bashkëpunoni. Me drejtësi dhe sinqeritet pa llogaritje njerëzore”.

Me një fjalë, ai ishte për bashkëpunim të ndershëm, duke mbajtur lart dinjitetin e krishterë. Një ditë shtoi se të gjithë të huajt që kishin dashur të dominonin në Shqipëri, asnjëherë nuk e kishin shtyrë popullin kundër feudalëve të ligj, por në të kundërtën, bashkoheshin gjithmonë me feudalët, duke e mbajtur popullin që ka vuajtur shumë të shtypur në skllavëri. Po, më thoshte, populli shqiptar është një nga popujt që ka vuajtur prej shumë shekujsh, mbasi i kish ofruar një mbrojtje të shkëlqyer krishterimit. Pikërisht për këtë dhe për dinjitetin vërtet të madh që ky popull ka pasur gjithmonë, edhe nën vuajtje dhe shtypje, është e domosdoshme që Evropa ta shohë me respekt Shqipërinë. Jam vërtet i kënaqur thoshte, që Kisha Orthodhokse Shqiptare ka marrë pjesë në mënyrë të dukshme për arritjen e pavarësisë së plotë dhe për zhvillimin e popullit.”

E kuptova mirë bisedën dhe e pyeta nëse e kish njohur në Amerikë Fan Nolin. Buzëqeshi dhe m’u përgjigj në mënyrë pohuese. Në fakt, aluzioni në fjalën e tij ishte i dukshëm. Dhe shumë mendime që shprehte Patriarku, si dhe gjykimet për ngjarje dhe persona, qofshin të kohëve tona, pasqyronin mendimin e këtij prifti orthodhoks shqiptar. Athenagora, siç më shpjegoi, jo vetëm e kish njohur Fan Nolin në Amerikë, por kish patur me të shumë biseda dhe nga vetë goja e shqiptarit të madh kish dëgjuar ndoshta edhe mendime për gjendjen e krijuar në Shqipëri pas luftës së fundit; si dhe për personazhet kryesore të skenës politike bashkëkohore shqiptare.

Një mendje e hapur dhe e vërtetë universale si ajo e Patriark Athenagorës, nuk e kishte vështirë të kuptonte gjendjen e vërtetë shqiptare, me ide të qarta dhe të rradhitej kryesisht në pozicionet e vetë Nolit. Në fakt, gjatë gjithë periudhës së luftës të fundit botërore, Patriarku kish qëndruar në Amerikë, i emëruar kryepiskop në gusht 1930 dhe mbeti i tillë për tetëmbëdhjetë vjet, derisa në nëntor të 1948 u ngjit në Fronin Ekumenik. Por s’është vetëm kjo. Athenagora e kish filluar aktivitetin e tij kishtar si dhjak i Mitropolisë së Manastirit (Bitola) më 1910, duke ndejtur për tetë vjet, para se të thirrej si dhjak në Athinë, e më pas në Metropolinë e Korfuzit, më 1922. Aty qëndroi deri më 1930. Kështu që gjithë këtë kohë jetoi në kufi me Shqipërinë dhe duhej të ishte i mirëinformuar për të gjithë aktivitetin politik, kulturor dhe fetar të Fan Nolit, që synonte formimin e një demokracie shqiptare me një ngritje të vërtetë fetare, morale dhe kulturore të popullit. Dhe e gjithë klasa intelektuale, që nuk ishte në shërbim të pashallarëve, ishte me Nolin. Nuk ka dyshim që edhe drejtuesit aktualë të politikës shqiptare e konsiderojnë “një nga baballarët më të mëdhenj të atdheut”.

Pastaj në Manastir, dy vjet para mbërritjes së dhjakut Athenagora ishte mbajtur një kongres i famshëm për gjuhën shqipe. Edhe sepse në qytet, sikurse në të gjithë zonën, pakica etnike shqiptare është ende edhe sot tepër e dukshme dhe në atë kohë qyteti ishte një nga qendrat e jetës kulturore dhe rilindjes shqiptare. Patriarku – edhe këtë ma pohoi disa herë – kish patur që në fillim simpati për këtë zell për ringjalljen e Shqipërisë të nxitur nga këta intelektualë të rinj. Kjo simpati e shoqëroi edhe kur u ngjit në Fronin Patriarkal, simpati e përforcuar nga njohja direkte që pati me problemin. Ai ishte gjithmonë i gatshëm të bënte diçka për Shqipërinë. Por lufta dhe rrethanat që e pasuan i ndaluan çfardolloj komunikimi me Kishën Orthodhokse Shqiptare dhe ai ishte i mendimit se jo i gjithë faji i duhej lënë Shqipërisë. Përjashtonte çfardolloj problemi politik, për t’u marrë vetëm me fatet e krishterimit, me respektin absolut për Autoqefalinë e Kishës Shqiptare. Ishte thellësisht i brengosur nga dritëshkurtësia në marrëdhëniet ndërmjet Patrikanës dhe Kishës Shqiptare pas luftës. Ishte i gatshëm të bënte çdo gjë vetëm që të rivendoste këto marrëdhënie, jo vetëm kanonike, por të miqësisë së përzemërt dhe për këtë shtyhej pikërisht nga simpatia për Shqipërinë.

Po të kish qenë i ftuar dhe i dëshiruar, do të kishte vajtur për vizitë zyrtare. Ngjarjet e fundit fetare shqiptare, me mbylljen e të gjitha kishave dhe shtypjen e çdo manifestimi fetar, i shkaktuan dhimbje të thellë, por nuk e dekurajuan. Ishte i bindur se bëhej fjalë për çështje kalimtare…

Patriarku ishte njeri i paqes, gjithmonë me buzëqeshjen mbi fytyrë, edhe kur gjatë periudhës së fundit vuante shumë. Nuk e toleronte urrejtjen dhe fanatizmin; në çdo rast ishte i gatshëm për mirëkuptimin…