Në numrin e gazetës suaj, të datës 8 shkurt, është botuar një shkrim kryekëput i gënjeshtërt, i cili synon të dëmtojë Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Gjithçka që paraqitet në artikullin “Kavajë – Besimtarët ortodoksë largohen…”, është e stisur e dashakeqe dhe duket e pamundur të jetë shkruar nga një qytetar i Kavajës që ka shkelur qoftë edhe një herë në kishën orthodhokse “Shën Nikolla” të qytetit.
Në këtë kishë është meshuar gjithmonë shqip, ndërsa aluçinacionet për rite të veçanta të ndryshme nga ato të Kishës Orthodhokse në gjithë botën (apo për ikona të ndryshme etj.), të shtyn të mendosh vetëm se autori ka shkruar duke qenë në injorancë të plotë për ritualin dhe çdo gjë tjetër orthodhokse.
Na vjen keq, që gazeta juaj, që synon të jetë e pavarur dhe objektive, i lejon vetes botimin e artikujve të tillë, të cilët jo vetëm krijojnë shqetësim për gjithë Komunitetin Orthodhoks të Shqipërisë, por u mungon edhe etika dhe niveli më minimal gazetaresk.
Gjithashtu ju njoftojmë ju dhe autorin, se kisha “Shën Nikolla” është ndërtuar si një kompleks që ka edhe klinikë mjekësore, kopsht fëmijësh etj., të cilat i shërbejnë të gjithë qytetarëve të Kavajës, pa dallim besimi.