Në datën 4 shkurt, në Televizionin tuaj u transmetua një emision me të ftuar në studio z. Abdi Baleta dhe z. Nikolla Marku nga Elbasani. Nuk duam të ndalemi në shpifjet dhe fyerjet e të sipërpërmendurve, të dala tashmë boje prej kohësh, por shqetësues është qëndrimi i përsëritur i Televizionit tuaj kundër Komunitetit Orthodhoks të Shqipërisë. Nuk mund ta kuptojmë urrejtjen e gazetarit Alfons Zeneli kundër çdo gjëje orthodhokse dhe më keq akoma, fjalët e ulëta, që nuk i lejohen as një njeriu të rrugës, kundër drejtuesve të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Nuk besojmë se është në platformën e Televizionit tuaj lufta kundër Komunitetit Orthodhoks të Shqipërisë, sepse kjo do ishte sa kundër interesave të vendit po aq edhe e kundërligjshme. Dhe po ashtu, nuk mendojmë se gazetarët tuaj frymëzohen nga mendime ekstremiste dhe synime për të mbjellë intolerancën fetare në Shqipëri. Por, për fat të keq, deri më sot, ky ka qenë rezultati i dukshëm.
E përsërisim, se besojmë e shpresojmë që nuk është një pozicion i qëllimshëm dhe se e ardhmja do jetë më e ekuilibruar dhe tolerante në qëndrimet që do të mbani ndaj besimit orthodhoks.