Me ngazëllim ndodhemi në Vendet e Shenjta, për të bashkëkremtuar Lindjen e Krishtit, “shpëtimin e botës, ditën e lindjes së njerëzimit, festën e përbashkët të të gjithë krijesës” (Vasili i Madh). “Të falenderojmë Perëndinë për dhuratën e tij të parrëfyeshme” (II Korint. 9:16), këtë dhuratë të takimit të Primatëve të Kishave Orthodhokse Autoqefale në Qytetin e Shenjtë, në të cilin përmendet vazhdimisht kujtimi i mistershëm i Kishave Orthodhokse të Tërëshenjta të vendeve të ndryshme…
…Falja e Shenjtë, që u bë para pak çastesh, në Golgothanë e frikshme dhe në Varrin e Tërëshenjtë, solli në shpirtin tonë të rrënqethura mallëngjimi e tronditjeje. Brenda kësaj hapësire, rrëfimet e Ungjijve rivijnë në mendje me një intensitet unikal; dhe ngjarjet shpëtuese përjetohen përsëri në mënyrë tronditëse. Me intensitet të veçantë sjellim ndër mend, se “aq e deshi Perëndia botën, sa që dha birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që do të besojë tek ai të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Jo. 3; 16). Nuk është e mundur që të qëndrosh para Golgothasë pa dërrmimin shpirtëror, që të çon në një gatishmëri për pendesë e ripërtëritje të vendimit, që në pjesën e mbetur të jetës të ndjekim pas me përkushtim dhe vetmohim Zotin, që për ne u “zbraz”, u kryqëzua, u varros dhe u ngjall, “për njohjen e tij dhe fuqinë e ngjalljes së tij, edhe shoqërinë e pësimeve të tij, duke u bërë të ngjashëm me të në vdekjen e tij” (Filip. 3:10-11).
Sigurisht, mbledhja në këtë vend e Primatëve të Kishave Orthodhokse dhe nëpërmjet tyre, e mbarë Orthodhoksisë, do të mbështesë më tepër dëshirën e të gjithëve për më shumë unitet mendimi, përkrahje reciproke dhe shpallje të përbashkët të Ungjillit në botën e sotme. Të bashkuar me Krishtin brenda Kishës së Tij, e kapërcejmë “Unin” tonë personal ose dhe “Ne”-në e kombeve, për t’i takuar me mirëkuptim dhe dashuri të gjithë njerëzit dhe të gjithë popujt, për të vënë në dispozicion në mënyrë bindëse përvojën tonë me Krishtin dhe për të dhënë me përulësi në mbarë botën dëshminë shpëtuese orthodhokse.
Shumë grumbullime orthodhokse adhuruese përfundojnë me vargun psalmik: “Perëndia pastë mëshirë për ne e na bekoftë, le të ndriçojë fytyra e tij mbi ne dhe le të na përdëllëjë ne” (Psalm. 66:2). Por, pas fjalës “ne” nuk ka pikë. Mendimi përfundon me propozimin që pason: “Që në tokë të njihet rruga jote, në të gjitha kombet shpëtimi yt” (Psalm. 66:3). Perspektiva hapet për të përfshirë mbarë botën, në mënyrë që të gjitha kombet të njohin shpëtimin.
Le të lutemi përulësisht, që Perëndia Triadik të na bëjë të denjë të gjithëve sa marrim pjesë në kremtimin mbarëorthodhoks të dymijëvjetorit të Trupëzimit të Fjalës së Perëndishme, që të shijojmë mëshirat e bekimet e Tij dhe të marrim frymëzim dhe fuqi të re për vazhdimin e shërbesës e dëshmisë orthodhokse, “që të njihet në tokë rruga e Zotit, në të gjithë kombet shpëtimi i tij”.