Me vendim nr. 1086, të Gjykatës së Kasacionit është mbyllur edhe një tjetër maratonë gjyqësore, për një tjetër cënim të pronës së Kishës sonë.
Historia nis në vitin 1994. Në atë vit Komisioni i Pronave i ktheu territorin, ku ngrihet Kisha e Ungjillëzimit pasardhësve të familjes Spahiu, nga të cilët e bleu Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, më 26. 12. 1997. Po më 1994 iu njoh familjes Gjinali pronësia për një godinë e truall ngjitur me Kishën. Ata jo vetëm e rikonstruktuan godinën për interesat e tyre, por për t’i rritur fitimet vetes bënë edhe dy dalje të paligjshme në territorin e Kishës (shtypshkronjë e fabrikë birre). Në dt. 7. 7. 1997, Bashkia e Tiranës nxori një urdhër administrativ, me të cilin urdhëronte mbylljen e dyerve. Por, familja Gjinali e paditi vendimin në Gjykatë, duke pretenduar kalim në pronën e Kishës, megjithëse kishte një dalje mjaft të gjerë direkt në Rrugën e Kavajës!…
Sidoqoftë, me vendimin përfundimtar të Kasacionit dyert duhet medoemos të mbyllen, por ende askush nuk po kujtohet ta zbatojë apo edhe ta imponojë vendimin tek cënuesit e pronës se Komunitetit Orthodhoks, të cilët vazhdojnë të zhvillojnë të qetë bizneset e tyre nëpërmjet territorit të Kishës.