EmailFacebookKontakt

Jubileu

Me madhështi u festua në tërë botën mbushja e dymijë vjetëve nga Lindja e Shpëtimtarit dhe hyrja në mijëvjeçarin e tretë pas Krishtit. Hyrja në mijëvjeçarin e ri shoqërohet nga ndryshime katalizative dhe çrregullime politiko-ekonomike, ekonomike-ideologjike, kulturore dhe shpirtërore në shkallë ndërkombëtare. Njëkohësisht dhe shkencat krijojnë të dhëna të reja në lidhje me ekzistencën njerëzore dhe me jetën e e planetit. Brenda kësaj prirjeje për “krijimin e botës” (kozmogonike), ne të krishterët e kemi për detyrë të mendojmë me seriozitet dhe përgjegjësi. Duhet të problematizohemi, të zgjohemi dhe t’i kundërvihemi çdo tjetërsimi shpirtëror.

Për të krishterët, ajo që duhet t’i paraprijë përmbushjes 2000-vjeçare nga mishërimi i Birit dhe Fjalës së Perëndisë, është përjetimi i Jubileut në kuptimin e plotë të tij, ashtu siç jepet në traditën e e Dhiatës së Vjetër (Levit. 25:8-17).

Jubileu ishte viti i pesëdhjetë, gjatë të cilit përgjithësohej sabatizmi (kuptimi i së shtunës), në bazë vjetore dhe jo mujore. Gjatë vitit jubilar, ndalohej deri dhe kultivimi i tokës, ishte i detyrueshëm çlirimi i skllevërve dhe bëhej shfuqizimi i të gjitha veprimtarive monetare, të cilat ishin realizuar gjatë viteve të mëparshme, në mënyrë që të dhuroheshin borxhet dhe të ktheheshin tokat e hipotekuara a të shtetëzuara tek pronarët e tyre të parë, pa dhënë zhdëmtimin, gjë që ka të bëjë me përjetimin e lirisë.

Në këtë mënyrë, Jubileu bëhet viti i lirisë. Për të krishterët, Jubileu i 2000-vjetorit pas Krishtit duhet të shërbejë si rast për t’u menduar thellë, me sinqeritet, me tone autokritike, për t’u penduar në lidhje me gabimet dhe neglizhencat tona gjatë të kaluarës. Pikërisht, ky mendim autokritik dhe pendimi, janë të nevojshme të shfaqen në jetën tonë personale. Dhe, për të ndodhur kjo, nevojitet të rishikojmë lidhjen tonë me Perëndinë dhe të vërtetën e Tij ta lidhim me baza më të forta dhe të sinqerta, në mënyrë që ta çlirohemi nga egoizmi e hipokrizia. Duhet të ofrojmë bashkëpunimin tonë me Hirin e Perëndisë, që të formohet brenda nesh një njeri i ri dhe rreth nesh “krijesa e re”. Shekulli i ri që filloi, duhet të jetë për çdonjërin nga ne dhe për të gjithë bashkë, shekull veprimi dhe i dëshmimit të Jisuit dhe, nëse duhet – edhe i martirizimit për Krishtin.

Tashmë, 2 mijë vjet nga mishërimi i Fjalës së Shenjtë, njerëzimi i lodhur, i plagosur dhe i marrë nëpër këmbë, duhet ta kuptojë më në fund, se Krishti është Alfa dhe Omega, fillimi dhe fundi i historisë, “Ai që ka qënë, Ai që është dhe Ai që do të vijë”, sipas fjalës apokaliptike të Ungjillit. Vetëm atëherë, bota do të ketë shpresë për t’u bërë më e mirë dhe njeriu do të zgjidhë problemet dhe do kapërcejë shqetësimet e tij, për të jetuar i lirë dhe me dinjitetin e “Bijve të Perëndisë”, për t’u bërë pjesëtar i Mbretërisë së Tij.

Kjo përbën urimin e lutjen tonë për të gjithë të rinjtë e këtij vendi.

Hieromonak Efremi