Kështu do ta filloja këtë shkrim, që s’është vetëm falenderim vetjak, por është i gjithë personelit pedagogjik, masës së nxënësve të Shkollës së Mesme të bashkuar “Sadi Nuri” dhe i banorëve të Ndroqit.
Ky njeri i Perëndisë është Hirësia e Tij, Kryepeshkopi Prof. Dr. Anastasi. Në qendër të Komunës Ndroq, buzë rrugës automobilistike është ngritur ngrehina trekatëshe e shkollës sonë. Eshtë një shkollë e një fshati arsimdashës, jo e vjetër në moshë, por ishte disi e amortizuar nga koha. Në këtë shkollë u arsimuan për plot kohë dhe fëmijët kosovarë, ku vetë fshati strehoi me qindra vëllezër, motra e prindër të tyre.
Gjatë vizitës së Kryepeshkopit në kampin e kosovarëve, pamja e shkollës së Ndroqit u kap nga syri e zemra e tij për një reabilitim të saj. Shumë shpejt kjo u konkretizua.
U realizua reabilitimi i shkollës nga IRC, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe ACT Internacional, me kujdesin e Kryepeshkopit Anastas.
Sot, udhëtari apo vizitori kënaqet me pamjen e shkollës. Çdo gjë e vjetër u zëvendësua me dritare e dyer bashkëkohore, me banjo sterile, dhomë higjienike, konturim të oborrit të shkollës e të tjerë zëra…
Edhe një herë falenderojmë IRC, Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë e ACT Internacional dhe në veçanti kujdesin e Kryepeshkopit Prof. Dr. Anastasit…
Seid Dedja
Drejtor i shkollës