EmailFacebookKontakt

Kisha përkujdeset për riparimin e shkollës

Pas kërkesës së Komunës së Ndroqit dhe Drejtorisë së shkollës “Sadi Nuri”, drejtuar Kryepiskopit, Prof. Dr. Anastasit, u bë reabilitimi i mjediseve të shkollës, të cilat gjatë emergjencës të krizës kosovare përballuan dhe problemin e arsimimit të fëmijëve të ardhur, që ishin sistemuar në kampin e Ndroqit.

Për të realizuar këtë kërkesë u angazhua Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare UNHCR, IRC e ECHO, të cilat bashkërenduan punën dhe fondet e nevojshme financiare.

Kështu, në sajë të ndërhyrjes dhe iniciativës së Kryepiskopit, Prof. Dr. Anastasit, pranë këtyre organizatave ndërkombëtare, u bë e mundur që të fillonin punimet menjëherë pas largimit të refugjatëve kosovarë, në muajin gusht. Ato u kryen të ndara në dy faza, pa cënuar programin normal të mësimdhënies, në shkollën me rreth 600 nxënës.

Faza e parë synonte zëvendësimin e tërë dyerve dhe dritareve, në të gjithë godinën trikatëshe; në ndërtimin e banjove e WC-ve; krijimin e dhomës higjienike, të kabinetit stomatologjik, vendosjen e instalimeve të reja elektrike dhe hidraulike për gjithë shkollën. Të gjitha këto punime kapën vlerën e planifikuar prej 70.000 USD dhe përfunduan në nëntor të vitit të kaluar.

Kurse faza e dytë, që përfshinte punimet e jashtme, lyerjen etj., i dha një hijeshi fasadës dhe pamje tjetër kabineteve dhe klasave të kësaj shkolle. Gjithashtu, u punua në ndërtimin e rrjetit të ri të kanalizimeve, riparimin e gjithë tarracës, sistemimin e mjediseve sportive të shkollës etj. Punimet e kësaj faze kapën një vlerë 17.000 USD dhe përfunduan për Krishtlindje.

Gjithashtu, me kujdesin dhe porosinë e Kryepiskopit Anastas, iu dhuruan shkollës edhe mjete mësimore didaktike, për rreth 400 nxënës të ciklit të shkollës fillore.

Ing. Petrika Shalësi