Vepra kryesore e Shën Joanit ishte parapërgatitja e popullit për ardhjen e Mesisë. Për këtë ai quhet edhe Pararendës i Zotit tonë Jisu Krisht. E këtë e bëri realitet me anën e predikimit të tij.
Fillimet e aktivitetit publik të Pararendësit na i jep Ungjilli sipas Llukait (3:1), “Tani në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Tiberit Çezar…”. Siç dimë, Tiberi erdhi në fron rreth viteve 767 nga themelimi i Romës; duke hequr nga kjo shifër datën e themelimit të Romës, vitin 753, kemi (767-753= 14). Kësaj i shtojmë dhe 15 vitet e qeverisjes së tij dhe na del viti 29 pas Krishtit, si viti i fillimit të aktivitetit publik të Joanit. Pararendësi i ftonte njerëzit të pendoheshin e të pagëzoheshin, si parakusht për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë. “Pendohuni, sepse Mbretëria e Qiejve është e afërt” – predikonte Joani. Profeti Isaia prej vitesh kishte profetizuar se: “Eshtë një zë që buçet në shkretëtirë”. Në shkretëtirë Pararendësi u kultivua shpirtërisht. Për thjeshtësinë, varfërinë e jetën asketike të Joanit na thotë Ungjillor Matheu: “Vishej me një rrobë leshi të devesë dhe me një brez lëkure në bel: ai ushqehej me karkaleca dhe mjaltë” (Math. 3:4).
Predikimi i Pararendësit iu përkiste interesave mbarënjerëzore: “Ai që ka dy tunika le t’i ndajë me atë që s’ka dhe ai që ka të hajë le të veprojë kështu” (Lluka 3:11).
Mjaft njerëz i dëgjonin predikimet e tij dhe pagëzoheshin në lumin Jordan, duke rrëfyer mëkatet e tyre. Pagëzimi i Pararendësit, ishte parapërgatitja për ardhjen e Mesisë. “Unë po ju pagëzoj me ujë për pendim, por ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, dhe unë nuk jam i denjë as të mbaj sandalet e tij, ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë” (Math. 3:11).
Jisui erdhi nga Galileja në Jordan për t’u pagëzuar tek Joani. Dhe Joani dëshmoi duke thënë: “E pashë Frymën duke zbritur nga qielli si një pëllumb dhe ndenji mbi të.”. Unë e njihja, por ai që më dërgoi të pagëzoj në ujë më tha: “Ai, mbi të cilin do të shikosh se zbret Fryma dhe qëndron mbi të, është ai që pagëzon me Frymën e Shenjtë.” (Joani 1, 32-33).
Jordani është lumi i shenjtë i Palestinës. Buron nga liqeni i Galilesë e derdhet në Detin e Vdekur. Edhe sot mjaft të krishterë nga vende të ndryshme të botës, të cilët vizitojnë Vendet e Shenjta, e kanë zakon të zhyten në lumin Jordan, për të marrë hirin e bekimit dhe të shenjtërimit.
Andrea Llukani